Të mërkurën e 16 nëntorit, deputetët e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Driton Selmanaj e Besian Mustafa, e kanë dorëzuar në Gjykatë Kushtetuese ligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg, raporton EO.
Ky projektligj është votuar më 8 nëntor në Kuvendin e Kosovës me 64 vota për. Por, është kundërshtuar nga opozita për shkak se sipas tyre bie ndesh me parimet e tregut të lirë.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, njëherësh kryetari i Komisionit për Ekonomi, në lidhje me projektligjin për caktimin e çmimeve tavan për produktet bazë, kishte thënë se ky projektligj është më shumë i dëmshëm sesa i dobishëm.
Sipas Shalës, në këtë projektligj është ndërhyrë ligjërisht dhe është në kundërshtim me parimet e tregut të lirë.
Ai ka thënë se duhet të ketë mekanizma që e vlerësojnë destabilizimin në treg dhe të ketë një sqarim ligjor, pastaj të dalë në diskutim publik.
Ndërsa, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka thënë se me vendosjen e çmimeve tavan do të bëhet ndërhyrja te bizneset e vogla.
“Do të përfitojnë vetëm bizneset e mëdha, e do të humbasin bizneset e vogla”, ka thënë ajo.
Ndërkaq, deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, ka thënë po ashtu se ky ligj është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
“Ky projektligj ka nevojë për ndryshime substanciale, që të jetë i përshtatshëm për tregun e Kosovës”, ka thënë ai.
Sipas tij, ky projektligj dëmton interesat e kompanive tregtare në Kosovë dhe dëmton ekonominë e lirë të tregut.
“Kufizimi i sasisë që i shitet konsumatorit brenda periudhës së caktuar, ndalimi i largimit nga shitja e produktit, caktimi i marzhës tregtare për shitjen me shumicë dhe pakicë”.
Këto janë disa nga masat e përkohshme mbrojtëse që do të vendosen në kuadër të ligjit për produktet themelore.