Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka ftuar Prokurorin e Shtetit që të hetojë rastet me tenderët njëburimorë.
Në një konferencë për media, deputeti i kësaj partie, Besian Mustafa, ka thënë se shumica e kontratave të këtyre tenderëve janë të partisë që është në pushtet.
“Vetëm 2,5 % të këtyre kontratave janë si vazhdim i kontratave të mëhershme. 97.5% e tyre janë të reja, të kësaj Qeverie. Këto janë kontratat ku nuk lejohet konkurrenca e lirë, negocimi bëhet në katër sy nga zyrtarët e ministrisë apo vetë ministrat dhe përfaqësuesit e kompanisë. Të enjten, kemi ftuar seancë të jashtëzakonshme për këtë temë. Të zënë ngushtë dhe të paaftë për ballafaqim edhe ministrat e deputetët e VV-së lëshuan sallën”, ka deklaruar Mustafa.
Mustafa ka listuar disa kontrata që sipas tij ministritë i kanë nënshkruar.
“Në Ministrinë e Ekonomisë kemi për këtë periudhë 151 kontrata të tilla në vlerë 124 milionë e 606 mijë euro. Në MPB kemi 33 kontrata të dakorduara në katër sy në vlerë 25 milionë e 772 mijë. Në MI kemi 69 kontrata me 10 milionë e 570 mijë. Në MKRS 56 kontrata në vlerë 4 milionë e 763 mijë. Në MD kemi 13 kontrata n vlerë 4 milionë e 95 mijë”, ka vijuar ai.
E anëtari i kryesisë, Visar Azemi, tha se Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) është burimi më i madh i kontratave njëburimore.
Sipas tij, aty janë dhënë 106 kontrata të tilla në vlerë prej 100 milionë euro.
“Keqqeverisjen e kemi shpalosur por manifestimi brutal i kësaj qeverie u pa në kuvend javën e kaluar. Kanë thirrë biznese që kanë dashur vetë, kanë dhëne tenderë dhe kontrata. Ndër vite është rritur vlera në vitin e parë nga 30 milionë euro, në 90 milionë në vitin e tretë. Kjo masakër e madhe ka ndodhur ne KEK. 100 milionë euro janë dhënë nga KEK, pra janë 106 kontrata njëburimore”, është shprehur Azemi.
Ndryshe, të enjten është mbajtur seancë e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës ku është diskutuar për kontratat njëburimore.
Kjo seancë ishte propozuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e është përkrahur edhe nga partitë e tjera të opozitës.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, kishte thënë se ekzistojnë arsye të mjaftueshëm që Kuvendi i Kosovës të themelojë një komision hetimor për kontratat njëburimore të nënshkruara gjatë Qeverisë Kurti.
Po ashtu, edhe shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se kontratat njëburimore edhe pse janë të lejuara, ato në secilin vlerësim vendor dhe ndërkombëtar tregojnë se janë mjeti më i mirë potencial për dëmtimin e konkurrencës së lirë për korrupsion dhe favorizim nga sektori publik për sektorin privat.
Por deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) kanë lëshuar seancën e së enjtes ku ishte duke u diskutuar për kontratat njëburimore pasi sipas tyre seanca përmbajti vetëm ofendime e fyerje.