Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), do të mbledhë të martën, nënkryetarët e partisë në orën 16:00 për të shqyrtuar ftesën e kryeministrit në detyrë dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, për konsultime lidhur me konstituimin e Kuvendit, që pritet të ndodhë më 15 prill.
Lajmi është konfirmuar për Kallxo, nga nënkryetari i LDK-së, Anton Quni.
Portali Dukagjini ka kontaktuar zëdhënësin e kësaj partie, Besian Mustafa, por i njëjti nuk ka kthyer përgjigje.
Nga ana tjetër, është sqaruar se nuk do të ketë mbledhje të kryesisë së partisë.
Ditën e hënë, u bë e ditur se Albin Kurti ka ftuar kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për konsultime paraprake lidhur me formimin e Kuvendit të Kosovës.
Takimi është planifikuar për të mërkurën, më 9 prill, në orën 15:00, ose për të enjten, më 10 prill, në orën 9:00 ose 14:00.
Në ftesën e tij, Kurti ka theksuar se qëllimi i takimit është përfundimi i procesit të konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhja e Qeverisë së re.
“Me certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025 nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, siç e dini edhe presidentja e ka caktuar mbledhjen e parë të Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Republikës së Kosovës për datë 15 prill 2025. Me qëllim të konstituimit të plotë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe procesit të zgjedhjes së Qeverisë së re, për t’u konsultuar paraprakisht, ju ftoj në takim të mërkurën, me datë 9 prill, në orën 15:00, apo të enjten, me datë 10 prill, në orën 9:00 ose në 14:00. Mirëpres përgjigjen tuaj për këtë takim”, thuhet në letrën e Kurtit.