Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur të mërkurën mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, me ç’rast ka propozuar 110 kandidatë për deputetë për zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit të ardhshëm.
Kësisoj, LDK-ja është partia e parë e cila publikon listën e kandidatëve për deputetë, ndërsa listës i prinë Lumir Abdixhiku si kandidat për kryeministër.
Në fjalën e tij para Këshillit të Përgjithshëm, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka theksuar rëndësinë e ndryshimit dhe forcës së votës për të avancuar një qeverisje “më përmbajtësore dhe më të drejtë”.
Lista sipas tij fokusohet në rëndësinë e rinisë dhe të rejave për të ndërtuar një vend më të mirë dhe më të qëndrueshëm.
“Republika e Kosovës sot gjendet në udhëkryq historik. Shtyllat e saja identitare, nga demokracia e shprehja e lirë, nga ëndrra euroatlantike deri tek mbajtja e njerëzve mes nesh, janë vënë bast në zaret e fateve politike të papërgjeshme. Në këtë Republikë të projeksioneve të tyre, porpaganda është qëllim në vete, gjersa përçarja, ndarja e polarizimi jonë i madh, janë përfundim krejt i zakonshëm, të cilin përfundim – nxitësit e urrejtjes – e shijojnë me plot zell”, ka thënë Abdixhiku.
“S’do t’i kuptojë asnjëherë se çfarë dëliri kjo gjendje ju sjellë, por e kam të qartë qëllimin e tyre krejt të thjeshtë. Sa më shumë propagandë, sa më shumë shpifje, sa më shumë ndarje, sa më shumë urrejtje, aq më të dobishme drejt prodhimit të polarizimit shoqëror, që nuk sjellë rezultate por as nuk sjellë shpresë. Prandaj sot, vendi ynë, është bërë vend i zymtë. Prandaj sot ndarja jonë kombëtare, ka arritur nivele të paimagjinueshme historike. E sepse jemi të ndarë kaq shumë, kemi ngecur në vendnumërim, ku hijet e së shkuarës na errësojnë të ardhmen që nuk po e bëjmë dot. Një shoqëri kaq e copëtuar e në kaq urrejtje duhet fillimisht të shërojë veten”.
Abdixhiku ka kritikuar qeverisjen e tanishme për siç ka thënë përçarjen dhe polarizimin në shoqërinë kosovare.
Sipas tij, në qeverisjen e tij nuk do të ketë përndjekje të gazetarëve e as sulm ndaj gjyqësorit.
“Sepse në Republikën tonë, nuk ka vend për një aparat shtetëror, që përdorë inteligjencën për të përcjellë gazetarët. Në Republikën tonë, nuk ka vend për atak institucional e parapolitik ndaj medias, nuk ka vend për mbyllje të mediave, nuk ka vend për sulme jetë kërcënuese ndaj gazetarëve e raportuesve të lirë të një shoqërie të lirë. Nëndija politike ndonjëherë flet shumë, por tek ne flet qartë, kur një pushtet kërkon që lajmet të merren vetëm nga ta, në atë moment, mu në atë moment, ne duhet të kuptojmë se para se të kemi një problem politik, kemi problem të funksionimit shtetar demokratik. Në Republikën tonë, nuk ka vend për sulme ndaj drejtësisë, e kategorizim të saj varësisht se kë ka subjekt; përkrahës pushteti ose jo”.
“Në Republikën tonë, pushteti s’bën drejtësinë, pushteti, sikurse secili tjetër është subjekt i drejtësisë. Askush, asnjëherë për asnjë çmim mbi ligjin! Në Republikën tonë, një Qeveri që shkelë Kushtetutën plot 10 herë duhet të rimendojë intencat shqetësuese që i ka në vete para se të akuzojë secilin përreth. Ne betohemi në Kushtetutë. Ne veprojmë mbi Kushtetutë. Ne jetojmë mbi këtë Kushtetutë. Si e tillë, ajo për Republikën, për ëndërrimtarët e saj është e shenjtë. Nuk shkelet, nuk përdhoset. Kur shkelet, shkelësit duhet të turpërohen jo të mburren e lavdërohen”, ka deklaruar ndër të tjerash Abdixhiku.
“Në Republikën tonë, korrupsioni, vjedhja e hajnia, duhet të jenë moralisht të gabuara sepse janë veprime të liga, e jo të arsyetueshme sepse krahasohen me të shkuarën. Një akt amoral, vjedhës ndaj shtetit, është i papranueshëm, i dënueshëm, i gjykueshëm jo sepse është më i madh apo më i vogël se ai paraprak – por se thjeshtë është jomoral. Korrupsioni është i tillë. Korrupsioni do të gjykohet si i tillë. I tashmi, i kaluari dhe i ardhmi pa dallim”./EO