Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka publikuar një këngë me titullin “Bëhu Ndryshimi” si pjesë e përgatitjeve për betejën e saj zgjedhore.
Ky projekt muzikor do ta shoqërojë fushatën e LDK-së gjatë ciklit të ardhshëm zgjedhor parlamentar në Kosovë.
Në tekstin e këngës, vargje si “Bëhu ndryshimi, hej, bëhu ndryshimi” dhe “Bëhu shpresë e madhe, bëhu ëndërr nane” i bëjnë thirrje qytetarëve, veçanërisht rinisë, që të bëhen pjesë e një transformimi pozitiv për vendin.
Kënga me videoklip, është shpërndarë në Facebook, nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili është edhe kandidat për kryeministër të Kosovës.
Fushata e LDK-së po zhvillohet nën sloganet “Rruga e re për Kosovën” dhe “Bëhu Ndryshimi – Lumir 2025”.
Pavarësisht se partitë politike ende nuk e kanë nisur zyrtarisht fushatën për zgjedhjet parlamentare të caktuara për 9 shkurt 2025, shumë liderët e partive kanë nisur të mobilizohen në kuadër të përgatitjeve për fushatën zgjedhore.