Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK) përmes një postimi në Facebook ka mirëpritur vendimin e Sudanit për të njohur pavarësinë e Kosovës.
LDK ka shprehur mirënjohjen e saj për udhëheqësit dhe popullin e Sudanit për vendimin në raport me Kosovën.
”Ky akt i rëndësishëm është dëshmi e fuqishme e përkushtimit të vazhdueshëm të shteteve paqedashëse ndaj parimeve të lirisë, paqes dhe të drejtës së popullit të Kosovës për pavarësi”.
”LDK shpreh falënderimet e sinqerta për udhëheqësit dhe popullin e Sudanit në këtë vendim, i cili forcon subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe hap rrugë të reja për zhvillimin e marrëdhënieve ndërshtetërore”, thuhet në komunikatën e LDK-së.
Tutje LDK ka thënë se njohja nga Sudani përbën një moment të rëndësishëm për diplomacinë e Kosovës, duke dëshmuar besimin e ndërsjellë në parimet e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
”Ky moment shënon gjithashtu një kapitull të ri që vjen si rezultat i përpjekjeve të pandalshme të miqve ndërkombëtarë të Kosovës”.
”LDK riafirmon përkushtimin e saj për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, për thellimin e lidhjeve diplomatike dhe për avancimin e interesave strategjike të vendit tonë në arenën ndërkombëtare”, thuhet në komunikatën e LDK-së.