Lidhja Demokratike e Kosovës, teksa i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i kthejë sytë nga qytetarët sepse gjendja ekonomike e tyre veçse po rëndohet, ka konsideruar se shpërndarja e 100 eurove nuk do t’i ndihmojë qytetarët, por tregtarët.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, në një konferencë për media, ka folur për gjendjen ekonomike, inflacionin dhe bllokimin e investimeve kapitale përmes institucioneve të pavarura.
“Ne kërkojmë, i bëjmë thirrje qeverisë që ta lërë anash arrogancën, është koha e fundit kur duhet t’i kthejë sytë nga qytetarët sepse gjendja e tyre ekonomike sa vjen e po rëndohet”, është shprehur ajo.
Për Bajramin, viti 2022 në Kosovë, po del të jetë viti më i vështirë në aspektin socio-ekonomik për qyterarët, të cilët, sipas saj, asnjëherë nuk kanë qenë në ndonjë pozitë më të vështirë se sa tani.
Ajo ka potencuar se, qeveria po tenton që me shumën 100 euro t’i ndihmojë, faktikisht, të punësuarit në sektorin publik dhe ata të sektorit privat.
“Me pakon 100 milionë euro kur qeveria tenton të bëjë zgjidhje për krizën ekonomike, la jashtë të papunët. Numri i të papunëve në Kosovë është jashtëzakonisht i lartë dhe kjo kategori sociale nuk është aspak në gjendje të mirë ekonomike”, ka shtuar ajo.
Ajo konsideron se kjo shumë nuk do të ketë aspak përmirësim në jetën e qytetarëve, por, sipas saj, e njëjta, do t’i ndihmojë tregtarët që t’i mbajnë çmimet e larta edhe për një kohë.
Përmes institucioneve të pavarura, Bajrami ka theksuar se janë bllokuar shumë gjëra, siç është, bllokimi i qindrave milionë investimeve kapitale, që nuk kanë arritur të realizohen.
“E patë dje se çfarë bëri mazhoranca për të penguar krijimin e komisionit hetimor parlamentar që është jashtëzakonisht i rëndësishëm”, ka thënë ajo duke shtuar se sa i përket krizës ekonomike, LDK-ja, tashmë, ka dhënë disa propozime për të adresuar një gjë të tillë.
“Kemi thënë se është e domosodoshme heqja e tatimit mbi vlerën e shtuar për të gjithë artikujt bazë. Kemi propozuar që qeveria të hartojë politika të favorshme dhe të krijojë vende të reja të punës”.
Madje, ka përmendur Ministrinë e Infrastrukturës, që për më pak se një vit ka arritur të nënshkruajë 42 kontrata me negocim të dretpërdrejtë në vlerë prej nëntë milionë eurove.
“LVV kur ka qenë në opozitë gjatë 15 vjetëve edhe në kohën kur ka ndodhur një kontratë e tillë me negocim të drejtpërdrejtë e kanë kualifikuar si keqpërdorim dhe hajni, ndërsa tani kanë arsyetime dhe ka ndryshuar komplet kualifikimi për këto 42 kontrata”, ka shtuar ajo.
Këtë formë të negocimit të drejtpërdrejtë, LDK po e sheh si dyshim për keqpërdorim, derisa pushteti e cilëson si luftë kundër korrupsionit.
Sipas saj, një institucion tjetër i bllokuar është Autoriteti Kosovar i Konkurrencës.
“Në kohën e inflacionit të madh, në kohën e luftës Rusi-Ukrainë ku të gjitha vendet po kanë vështirësi për produktet e ndryshme, edhe mundësia e marrëveshjes në mes të firmave dhe abuzimi me pozitën dominuese në treg është i mundur, por në fakt nuk ka asnjë institucion që mund ta hetojë dhe luftojë këtë, për shkak se qeveria e 51 për qindshit ka vendosur që prapë një institucion të tillë ta lërë të bllokuar”.
Po ashtu, ajo ka thënë se institucion tjetër jofunksional është komisioni për ndihmë shtetërore.
“Tani në kohën e pakove të rimëkëmbjes ekonomike, tani kur qeveria kur ka vendosur të shpërndajë 100 milionë euro ndaj qytetarëve, kategorive të ndryshme, dhe t’i lërë jashtë të papunët, është një komision tepër i rëndësishëmsepse, duhet ta bëjë kualifikimin e secilës masë në mënyrë që të sigurohet që qeveria nuk diskriminon qytetarët dhe bizneset”.
Siç theksoi deputetja, votimi i projektligjeve që vijnë nga qeveria dhe marrëveshjet ndërkombëtare është përgjegjësi e mazhorancës.
“Ne kemi një qeveri e cila i ka numrat në kuvend dhe është përgjegjësi e tyre. Para se të pengohej nga mazhoranca formimi i komisionit hetimor parlamentar, kemi thënë se nuk do të marrim pjesë në asnjë nismë legjislative derisa ky komision të formohet”, ka shtuar ajo.
Ndryshe, vetëm 33 deputetë të Kuvendit të Kosovës, votuan për themelimin e komisionit për hetim parlamentar në lidhje me energjinë.
Si pasojë e kësaj, tri partitë opozitare, PDK, LDK e AAK kanë lëshuar sallën në shenjë revolte ndaj mosvotimit të komisionit.