Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës [LDK], Lumir Abdixhiku, ka përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit të LDK-së me Lëvizjen Vetëvendosje.
Abdixhiku në konferencën për media pas takimit ka thënë se LDK-ja s’ka pasur asnjë takim me asnjë parti politike pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
“Nuk kemi pasur asnjë takim me asnjë prej partive politike në Kosovë, sidomos me partinë në pushtet. Nuk duam, nuk kemi dhe nuk punojmë për bashkëpunim me ta (LVV)”, ka thënë Abdixhiku.
Abdixhiku ka thënë se LDK-ja s’do të jetë pjesë e asnjë qeverie pa pozitën e kryeministrit. Sipas tij, LDK-ja nuk synon dhe s’punon për “qeveri afatshkurtër”.
“Diskutuam për procesin zgjedhor. Është rezultat me rritje që i siguron 20 ulëse, rritje e mbarë e mirë… e kuptojmë mesazhin e qytetarëve… vlerësuam qytetet e degët me performancë të mirë por edhe ato jo të mirë… sa i përket pozicionit politik, nuk kemi pasur asnjë takim me asnjë takim prej partive, sidomos me atë në pushtet. Nuk duam nuk kemi, nuk punojmë për një bashkëpunim me ta (Vetëvendosjen). Ldkka qëndrim që nuk bëhet pjesë e Qeverisë pa e pasur kryeministrin. Po ashtu pa e zgjidhue çështjen e Presidentit nuk do të kemi qeveri stabile. Ne besojmë që të parit i takon të nis afatet kushtetuese për formimin e Qeverisë. I pari duhet të caktojë emrin për Kryeministër. Prej certifimin e rezultatit dhe veprimet e të parit…”, tha kreu i LDK-së.
Abdixhiku ka shtuar se i takon partisë fituese të zgjedhjeve që të nisë afatin për të caktuar emrin e mandatarit dhe kryetarin e Kuvendit.
Ndryshe, pas 5 orëve ka përfunduar takimi i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës të hënën, takim që u thirr për të diskutuar pozicionin e partisë pas zgjedhjeve parlamentare.