Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës(KPK).
LDK këtë e ka konsideruar si “dështim të radhës për kapje të shtetit”.
“Sot Gjykata Kushtetuese e shpalli Aktgjykimin lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 08/L-136 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Gjykata Kushtetuese i ka vlerësuar si të pranuara të gjitha pretendimet e ngritura nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), se ligji në fjalë në pjesën materiale të saj është kundër Kushtetues, rrjedhimisht ai duhet të shpallet i pavlefshëm në tërësinë e tij”, thuhet në komunikatën e LDK-së.
Në këtë komunikatë thuhet se rrëzimi i këtij ligji është “rrëzim i tendencës së pushtetit për të kapur sistemin e drejtësisë”.
“Lidhja Demokratike e Kosovës, vlerëson se më e pakta që duhet të ndodh tani është shkarkimi i menjëhershëm i Ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu si shkelëse e Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në komunikatën e LDK-së.
Sipas LDK-së, “shkelësit e kushtetutës nuk duhet të kenë vend në institucionet publike, aq më pak në krye të institucionit kryesor të drejtësisë”.
Në këtë komunikatë për media theksohet se Lidhja Demokratike e Kosovës do jetë në mbrojtje të Republikës së Kosovës dhe rendit kushtetues.