Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për ndarjen e 100 eurove shtesë për fundvit, duke përfituar të gjithë pensionistët dhe fëmijët deri në moshën 16 vjeçare. Këtë e njoftoi kryeministri Albin Kurti gjatë një konference të përbashkët me ministrin e Financave, Hekuran Murati.
“Të gjithë ju që jeni të moshës nga 0 deri në 16 vjeç dhe që përfitoni shtesat mujore për fëmijë, do të merrni edhe sivjet nga 100 euro secili”, deklaroi Kurti.
Ministri Murati shtoi se detajet mbi kohën e saktë të shpërndarjes së këtyre mjeteve do të bëhen publike gjatë javës së ardhshme.
Vendimi i qeverisë ka nxitur reagime nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila e cilësoi masën si “lëmoshë” që nuk adreson sfidat ekonomike të qytetarëve.
“Vizion në javën e parë të mandatit, apo panikë në muajt e fundit? Ky pra është dallimi. Sepse LDK e ka programin dhe zotimin e qartë: koeficient të pagave 150 euro – që do të thotë rritje mesatare e pagës për 200 euro – për të giithë shërbyesit publik në javën e parë të mandatit, dhe zgjidhje të qëndrueshme që i përgjegjen vështirësive dhe nevojave të përditshme të qytetarëve.
Kjo ka dallim të madh me lëmoshën e dhënë në fund të vitit e cila nuk mjafton as për ta paguar rrymën në këtë dimër. Sepse kjo që pamë sot nga kjo qeveri nuk është asgjë më shumë se shenjë e panikës dhe mungesë e vizionit nga një udhëheqësi e dështuar e cila nuk ka implementuar asgjë të qëndrueshme në 4 vite qeverisje.”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cilësoi ndarjen e shtesave si një “skemë të korrupsionit publik”, duke akuzuar qeverinë se po shfrytëzon buxhetin për fushatë elektorale.
LDK-ja e ka quajtur qeverisjen e Kurtit të paaftë dhe pa rezultate të qëndrueshme gjatë mandatit katër vjeçar.
“Qytetarët janë lodhur nga qeverisja e paaftë, dhe ata po na e tregojnë çdo ditë se ata duan ndryshim, dhe e duan atë menjëherë! E këtë ndryshim, me mirëqenie, mundësi e paga të mjaftueshme për të gjithë – dhe atë gjatë tërë vitit, do ta sjell vetëm LDK nën udhëheqjen e Dr. Lumir Abdixhikut dhe ekipit tonë profesionist. Bashkë me qytetarët e vendit do të bëhemi ndryshimi i domosdoshëm për Kosovën!”, thuhet në deklaratën e tyre.