Lidhja Demokratike e Kosovës ka akuzuar Qeverinë e Kosovës, se po ndëshkon komunat e Kosovës me shumë padrejtësi në ndarjet buxhetore për vitin 2023.
Sipas kësaj partie opozitare, nuk është bërë asnjë investim në 18 komuna, vetëm sepse, siç thotë LDK-ja, nuk kontrollohen nga pushteti.
Përmes një videoje të publikuar në Facebook, LDK-ja ka thënë se Qeveria po luan “paturpësisht politikë me buxhetin e vitit 2023, duke shtuar se komunat po e paguajnë çmimin”.
Sipas tyre, 52 për qind e të gjithë buxhetit për projekte të reja këtë vit do të shkojë për vetëm tri komuna të udhëhequra nga partia në pushtet, të cilat mbulojnë vetëm 9 për qind të territorit të Kosovës.
“Përmes komunave po ndëshkohen qytetarët. A është ky trajtimi që ata meritojnë”, thuhet në një postim të LDK-së, të cilët ia kanë bashkëngjitur edhe një video.
LDK-ja ka thënë se 18 komuna nuk do të shohin asnjë cent nga investimet e reja nga buxheti i vitit 2023.
“Qeveria po dërgon investime në komunat e kontrolluara nga VV-ja. Kjo është shfaqje e hapur e njëanshmërisë politike dhe një fyerje për çdo qytetar”.