Lidhja Demokratike e Kosovës, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të nisë dialogun me sindikalistët dhe të procedojë Ligjin për Pagat.
Me anë të një komunikate për media, LDK ka theksuar se Qeveria është e papërgjegjshme ndaj vendimeve të saj.
“LDK i bën thirrje edhe njëherë Qeverisë që të ulet dhe të nis dialogun social me të gjithë sindikalistët dhe jo të komunikojë në distancë përmes deklaratave të shkurta që në këtë kohë krize përveç se janë ofendim, është edhe gabim dhe thellon edhe më tutje krizën që po përballemi sot”, thuhet në njoftim.
“Mos ekzekutimi i pagave sidomos për muajin gusht gjatë pushimit kur nuk ka pasur asnjë efekt si dhe dënimi kolektiv është rast i paprecendet që nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e arsimit në vendin tonë”, vijon njoftimi.
Po ashtu, sipas LDK-së, Qeveria duhet të dëgjojë e pranojë kërkesat e tyre që procesi mësimor të fillojë menjëherë.
LDK po ashtu, ka kërkuar që në seancën e parë në Kuvendin e Kosovës, të procedohet Ligji për Pagat.
“I njëjti të diskutohet pasi që ende nuk e kemi marrë zyrtarisht si dhe pas të gjitha komenteve, të hyjë në fuqi për zbatim nga janari i vitit 2023, për të mbështetur qytetarët tanë në këtë kohë krize të rëndë ekonomike”.
Ndërkohë, kjo parti opozitare është shprehur e gatshme që të ofrojnë ekspertizën e tyre në mënyrë për të gjetur një zgjidhje të krizës ekonomike dhe problemeve me të cilat po ballafaqohen qytetarët.