Lidhja Demokratike e Kosovës, ka reaguar ndaj deklaratës së lëshuar nga i ashtuquajturi “Kuvendi gjithëserb”, që thuhej se “Kosova është e patjetërsueshme e Serbisë”.
LDK, shkruan se Serbia dje, shpalli për të satën herë projektin e saj politik e kulturor për Serbinë e Madhe dhe qëllimet e saja historike për zhbërjen e Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës.
“Serbia dje, nëpërmjet instiucioneve të saja zyrtare të përfaqësimit, bashkë me Kishën Serbe, përfaqësuesit zyrtarë të Republikës serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, Akademinë serbe të Arteve dhe Shkencave, nacionalistë serbë nga rajoni dhe bota, në të ashtuquajturin Këshill Gjithëserb, e mbarsun me ide imperialiste si ajo e `botës serbe`, shpalli për të satën herë projektin e saj politik e kulturor për Serbinë e Madhe dhe qëllimet e saja historike për zhbërjen e Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës.”
LDK ka deklaruar se Kosova është përcaktuar tashmë, në mënyrë të pa kthyeshme, për rrugën evropiane, ku të drejtat qytetare, ato kulturore si dhe ato etnike përbëjnë bërthamën e zhvillimit dhe bashkëjetesës.
“Kosova e ndjenë të vetën krejt diversitetin kulturor të saj dhe trashëgiminë që vjen prej atij diversiteti dhe do ta mbrojë dhe deshmojë atë si vlerë të shtuar. Po ashtu, LDK dëshmon edhe një herë se si në fillesë edhe tash i rrinë përballë çdo përpjekje për cenimin e Republikës së Kosovës dhe integritetit të saj”, thuhet në reagim.
LDK shton se Republika e Kosovës është produkt i pjekjes së një shoqërie për ta udhëhequr vetveten, por edhe për të marr përgjegjësi për pakicat.
“LDK i mbetet garantuese këtyre vlerave dhe prosperimit të tyre. Ftojmë miqtë e Kosovës, që kanë dhënë shumë për lirinë e saj, t`i marrin seriozisht këto përpjekje të Beogradit zyrtar për minimin e fqinjësisë në mes shteteve në rajon dhe defunksionalizimin e arritjeve politike në të mirë të demokracisë në këto 30 viteve të fundit. Alarmi i djeshëm në Beograd, për ne që i njohim shpërthimet e tyre fashiste në vazhdimësi, është kurdisje e një bombe që mund të shpërthej në çdo çast”, thuhet në fund të reagimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.”
Vuçiq pas Kuvendit ‘panserb’ thotë se ditë të vështira janë para Serbisë