Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka reaguar për komunikimin mes Dejona Mihalit dhe ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.
Në reagimin e LDK-së thuhet se janë vërtetuar shqetësimet e ngritura nga partia, “për aktivitetet kriminale dhe punësimet e paligjshme.”
“Raportimet e medieve gjatë dy ditëve të fundit, për përfshirjen direkte të strukturave parapolitike partiake të Lëvizjes Vetëvendosje në ndërmarrjen publike KEK dhe së këndejmi në aferat korruptive të Nagip Krasniqit e Martin Berishajt, vërtetojnë se shqetësimet e ngritura nga Lidhja Demokratike e Kosovës për aktivitetet kriminale, punësimet e paligjshme dhe tenderët sekretë kanë qenë plotësisht të sakta.”
LDK akuzon Lëvizjen Vetëvendosje duke thënë se, ka ekzistencë të strukturës kriminale parapolitike.
“LDK-ja në vazhdimësi ka folur për ekzistencën e një strukture kriminale parapolitike të partisë në pushtet, që nëpërmjet një skeme shumë mirë të organizuar e të kontrolluar deri në detaje – nga menaxhimet e komunikimeve ditore, tek oraret e reduktimeve të energjisë elektrike për qytetarët; nga punësimet e paligjshme, deri tek 150 tenderët sekretë – ka organizuar një skemë kriminale pa frikën e përgjegjësisë dhe pa brengën e llogaridhënies.”
Poashtu LDK kërkon hetimin e menjëhershëm dhe që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.
“LDK-ja do të shfrytëzojë të gjithë mekanizmat institucionalë, ligjorë e kushtetues për të zbardhur deri në fund të gjitha rastet e krimit, të korrupsionit dhe të keqpërdorimeve. Njëkohësisht, LDK-ja i bën thirrje organeve të drejtësisë për hetim të menjëhershëm, që personat dhe struktura kriminale përgjegjëse të dalin para drejtësisë.”