Marine Le Pen, udhëheqësja e partisë së ekstremit të djathtë në Francë, Tubimi Kombëtar (RN), do të paraqitet në gjyq më 30 shtator në Paris, së bashku me 26 persona të tjerë dhe vetë partinë RN, për akuzat për keqpërdorim të fondeve të Bashkimit Evropian.
Pothuajse një dekadë pas fillimit të hetimeve, gjyqi mund t’ia ndalojë Le Pen të mbajë poste publike për deri në 10 vjet shkaku i akuzave, të cilat ajo i mohon.
Le Pen, e cila prej kohësh ka punuar për ta pastruar imazhin e partisë së saj, humbi përballë Emmanuel Macronit në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të Francës në vitet 2017 dhe 2022. Ajo shihet gjerësisht si një nga favoritet kryesore për zgjedhjet e ardhshme më 2027.
Zyrtarët dhe punonjësit e partisë, ish-deputetë dhe asistentë parlamentarë akuzohen se kanë përdorur paratë e destinuara për punë parlamentare të BE-së për ta paguar stafin që punonte për RN-në, që në atë kohë quhej Fronti Kombëtar.
Parlamenti Evropian e ka vlerësuar dëmin në 3.5 milionë euro.
Ligjvënësve të BE-së u alokohen fonde për të mbuluar shpenzimet, përfshirë asistentët e tyre, por nuk duhet t’i përdorin ato për të financuar aktivitetet partiake.
Shumë parti politike evropiane – veçanërisht ato më të vogla që përfitojnë më pak financim kombëtar – kanë përdorur paratë e BE-së për të punësuar talente premtuese si ndihmës të ligjvënësve të BE-së.
Udhëheqësi aktual i partisë RN, Jordan Bardella, që është gjithashtu anëtar i Parlamentit Evropian, dikur ka punuar në një rol të tillë asistent. Ai nuk është akuzuar për keqpërdorim.
Partia e Marine Le Pen – që është në grupin kryesor të partive euroskeptike dhe nacionaliste në Parlamentin Evropian dhe argumenton për politika nacionaliste në çështje që variojnë nga imigracioni, tregjet e energjisë dhe bujqësia – i mohon akuzat.
Marine Le Pen përballet me akuza si për rolin e saj si udhëheqëse partie, ashtu edhe si një ligjvënëse e BE-së në atë kohë, që thuhet se ka punësuar asistentë fiktivë.
Prokurorët thonë se një tjetër nga të pandehurit, Thierry Legier, në të vërtetë ka punuar si truproje për Le Pen dhe baban e saj, Jean-Marie Le Pen, themeluesin e Frontit Kombëtar, ndërsa merrte një pagë si asistent parlamentar midis viteve 2005 dhe 2012.
Ligjvënësi i RN-së dhe zëdhënësi i partisë, Laurent Jacobelli, i tha Reuters javën e kaluar se Marine Le Pen, tani ligjvënëse në parlamentin francez, nuk është e shqetësuar për gjyqin.
“Ajo e di që ajo për të cilën akuzohemi është një kuptim i ndryshëm, si një parti franceze, i asaj se çfarë është roli i një asistenti, krahasuar me kuptimin e Parlamentit Evropian”, tha ai.
Nëse shpallet fajtore, Le Pen dhe të pandehurit e tjerë mund të përballen me një dënim potencial me burg deri në 10 vjet dhe një gjobë prej një milion eurosh. Përveç kësaj, ata si Le Pen që ishin zyrtarë të zgjedhur në kohën e veprave të dyshuara rrezikojnë të përjashtohen nga postet publik për deri në 10 vjet. Ata që nuk ishin zyrtarë të zgjedhur mund të përjashtohen deri në pesë vjet.
Prokuroria publike e Parisit hapi një hetim në vitin 2016, nxitur nga një raport i presidentit të Parlamentit Evropian drejtuar ministrit të drejtësisë së Francës, i ndjekur nga një hetim policor.
Gjyqi do të zgjasë deri më 27 nëntor.
RN-ja është nën një hetim tjetër paraprak, të nisur në korrik nga prokuroria e Parisit, për financimin e paligjshëm të pretenduar të fushatës së saj presidenciale të vitit 2022./REL