Pas mosvotimit të Komisionit Hetimor për energji, për të cilën të gjitha partitë opozitare e kanë lëshuar sallën, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka akuzuar partinë në pushtet (Lëvizjen Vetëvendosje), që po fsheh diçka.
Ai për RTV Dukagjini, ka deklaruar se kjo lë hapësirë për të menduar se kanë ndodhur keqpërdorimet.
“Nëse një Vetëvendosje që ka qenë mjaft aktive, ka bërë protesta për energji, për çmimin e energjisë dhe sot të mos e votojë këtë komision mendoj që diçka po fshehet brenda kësaj”, është shprehur ai, teksa shtoi se “endojmë që ka keqpërdorime”.
“E dini që subvencionimi për energji elektrike janë diku 90 milionë që presin tash nuk po e dinë a t’ia japin KEDS-it, KEK-ut, apo kujt”, shtoi ai.
Sa i përket lëshimit të seancës, deputeti i AAK-së, ka thënë se në praktikën e AAK-së, nuk është që të lëshohet seanca.
Ndryshe, vetëm 33 deputetë të Kuvendit të Kosovës, votuan për themelimin e komisionit për hetim parlamentar në lidhje me energjinë.
Edhe pse Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca i dha mbështetje kërkesës së opozitës për themelimin komisionit për energji, kjo nuk ia ndërroi mendjen deputetëve të pozitës.
“Dua t’i jap të drejtë pjesërisht opozitës, po dua t’i jap të drejtë opozitës sepse atëherë kam qenë kryetar i grupit parlamentar, kur m’u ka mohuar një gjë e tillë.
Prandaj, duhet të jemi konsistentë. Duhet ta hapim fazën e propozimit të emrave për këtë komision hetimor, pastaj mazhoranca e vendos me votë se a do ta votojë apo jo”, deklaroi Konjufca.
Si pasojë e kësaj, tri partitë opozitare, PDK, LDK e AAK kanë lëshuar sallën në shenjë revolte ndaj mosvotimit të komisionit.
Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje, ka akuzuar partitë opozitare se në mënyrë të kundërligjshme po tentojnë formimin e Komisionit Hetimor për Energji.
Shefja e Grupit Parlamentar të kësaj partie, Mimoza Kusari, ka thënë se në parim nuk janë kundër këtij komisioni, por që sipas saj kjo duhet të bëhet në mënyrë të ligjshme
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari, bashkë me anëtarin e VV-së Adnan Rustemi, e kanë quajtur përpjekje të kundërligjshme tentimin e opozitës për ta miratuar themelimin e komisionit hetimor të energjisë.
Në një konferencë për media, Kusari tha se nuk janë kundër themelimit të këtij komisioni, porse sipas saj kjo nuk bëhet nëse opozita i fyen e i akuzon ata.