Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Pal Lekaj, ka thënë se ata kur kishin qenë në pushtet kanë votuar dhe ligje të cilat ishin jashtë kornizave të Partisë së tij, kur ishin në fjalë interesat e qytetarëve.
Për Lekajn opozita nuk duhet të akuzohet në asnjë mënyrë për mosprezencën e deputetëve të saj, në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
“Sepse 68 deputetë i ka koalicioni i qeverisjes dhe e gjithë përgjegjësia bie mbi ta”, është shprehur, Pal Lekaj në emisionin ‘FIVE’ në RTV Dukagjini.
Tutje ai ka folur dhe për dështimet për ta miratuar ligjin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, ku ka thënë se opozita nuk e ka për obligim që t’i bëjë kuorumin e Qeverisë por ajo duhet që ta bëjë vetë sepse është obligim i saj.
Dhe për të, ky ligji është me prapavijë politike dhe jo për të vendosur drejtësi.
“Askush nuk ka frikë nga ligji për konfiskimin e pasurisë”, ka thënë ai.
Lekaj ka treguar, se kujt duhet t’i konfiskohet pasuria.
“Të gjithë atyre që kanë shfrytëzuar pozita për tu pasuruar në kurriz të qytetarëve duhet që t’i konfiskohet pasuria”, ka theksuar ai.
“Frikë duhet të kenë ata që kanë keqpërdorur pozitat”, ka shtuar Lekaj.
Sipas, Lekajit, ata kanë sjellë një ligj Ad hoc në Kuvendin e Republikës së Kosovës, pa i përfunduar debatet në Kuvendin e Kosovës dhe dëgjimet publike me qytetarë dhe shoqërinë civile.