Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka folur për domosdoshmërinë e shkarkimit të ushtruesit të detyrës së kryeshefit ekzekutiv, Enis Abdurrahmani, nga detyra.
Në emisionin “Five”, në RTV Dukagjini, ku po diskutohet për “përfshirjen” e politikës në grevën e urisë së minatorëve, Lekaj ka thënë se minatorët po keqtrajtohen dhe nuk po merren parasysh kërkesat e tyre që sipas tij janë legjitime.
Ai ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që të marrë vendim për shkarkimin e Abdurrahmanit.
“Si komision kemi kërkuar që të raportojë ministrja Artane Rizvanolli në komision për atë që po ndodhë në Trepçë, ajo na ka injoruar kërkesën tonë dhe kërkesën e minatorëve. Minatorët po keqtrajtohen, nuk po merren parasysh kërkesat legjitime të tyre, e them pa politikë, ministrja edhe po të ishte jashtë vendit do të duhej të merrej urgjentisht me këtë çështje”.
“Nëse nuk ka vendim për shkarkimin e tij, mendoj që do të përshkallëzohet situata, do të ketë solidarizim me grevistët, kështu që kjo nuk i shkon përshtati në këtë situatë të brishtë sigurisë së Kosovës që gjendja të përshkallëzohet dhe për një ushtrues detyre të bëhet e gjithë kjo qëndresë e qeverisë është e pakuptimtë”, tha ai.
Lekaj e quan të pakuptimtë dhe të pashpjegueshme mos reagimin e Qeverisë lidhur me këtë çështje.
“Nuk është koha që të flasim shumë por të marrim vendime dhe të shkarkohet ai zullumqari kryesor që e ka stopuar Trepçën, e ka penguar zhvillimin ekonomik që 2 vite dhe ai është ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv. Minatorët janë në të drejtën e tyre sepse pas situatës së krijuar, pas vonimit të pagave… nuk shoh ndonjë politizim, si opozitë kemi qenë të përmbajtur në kërkesat e minatorëve por po e them që jemi pa politikë dhe urgjentisht sot duhet të shkarkohet kryeshefi ekzekutiv”.
“Sipas asaj që dëgjova, është gatishmëria që pas tetë ditëve që të shkarkohet kryeshefi i ekzekutivit përndryshe Qeverisë i bie e gjithë përgjegjësia, vetëm nëse ka ndonjë lidhje korrupsioni me këtë ushtrues detyre. Është e pakuptimtë, e pashpjegueshme dhe mendoj që kjo qeveria po bën hajgare”.