Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, e ka cilësuar të padrejtë vendimin e Gjykatës Themelore, e cila e dënoi me 3 vjet e tetë muaj burgim për rastin e ndarjes së 53 milionë eurove shtesë konsorciumit “Bechtel-Enka” për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”.
Lekaj bëri të ditur se vendimin e Themelores do ta ankimojë në Apel dhe se pret të shpallet i pafajshëm.
“Në historinë e gjykimeve në Kosovë, ka pasur mijëra raste të gjykimeve të padrejta e të pabazuara, siç ishte edhe vendimi i sotëm i Gjykatës Themelore ndaj meje. E njoftoj opinionin e gjerë publik se asnjëherë nuk i kam tejkaluar kompetencat e mia e nuk e kam keqpërdorur pozitën e ministrit, kjo as në rastin e autostradës ‘Arbën Xhaferi’. Natyrisht, unë do ta ankimoj vendimin në Apel dhe jam i bindur se vendimi i sotëm do të shpallet NUL”, tha ai.
Tutje, Lekaj tha se “kundërshtarëve të mi politikë u them të mos gëzohen para kohe, sepse e drejta që do të dalë në shesh shumë shpejt do t’i zhgënjejë”.
Ai përfundoi duke thënë se është i bindur në pafajësinë e tij dhe në drejtësi.