Nuk teprohet nëse thuhet se dita e zgjedhjeve në Kosovë kaloi në mënyrë perfekte. Nuk teprohet as të konstatohet se fushata zgjedhore në përgjithësi kaloi e qetë dhe pa probleme. Kosovarët edhe njëherë dhanë provimin e demokracisë, duke dëshmuar se jo rastësisht mbajnë epitetin e shoqërisë, e cila organizon zgjedhjet më të mira në rajon dhe më gjerë.
Paramendoni zgjedhjet në një vend me demokraci dhe institucione megjthatë të brishta, problemi më i madh i të cilave është fotografimi i votës nga ndonjë person i papërgjegjshëm. Paramendoni rregullin në krejt procesin, njerëzit të cilët solemnisht shprehin vullnetin e tyre në qendra votimi pa presion, pa intimidim ose çfarëdo veprimi tjetër që do ta cenonte këtë vullnet. Kjo ishte Kosova e 9 shkurtit.
Misioni vëzhgues i Bashkimit Europian i ka vlerësuar zgjedhjet pozitive dhe të qeta, por edhe me disa të meta. Nathalie Loiseau, shefe e këtij misioni, tha se dita e zgjedhjeve ishte e qetë, votuesit kishin mundësi të votonin në kushte të mira, kurse fushata ishte mjaft konkurruese. Kjo sa i përket organizimit të procesit dhe përgjegjësisë qytetare.
Të metat e evidentura nga ky mision janë të tjera. Loiseau tha se Lëvizja Vetëvendosje ka përdorur gjuhë negative ndaj mediave dhe gjyqësorit gjatë fushatës zgjedhore. Ajo përmendi edhe ndërhyrjen e Serbisë në proces nëpërmjet trysnisë ndaj votuesve serbë, si dhe kritikat e Richard Grenellit ndaj kryeministrit Albin Kurti.
Pas mbylljes së kutive të votimit dhe rezultateve të para, partitë politike i pranuan ato të mirëqena. Nuk pati kundërshtime as kontestime. Pritej që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të procesonte shpejt të dhënat dhe rezultatet të ishin të qasshme për të gjithë. Por, nuk ndodhi kështu.
* * *
Kosova për herë të parë i organizoi zgjedhjet e përgjithshme sipas afatit kushtetues, pra pas mandatit të plotë të qeverisë. Kështu KQZ pati kohë të mjaftueshme për të organizuar gjithçka qysh duhet. Ligji për zgjedhjet u ndryshua, për të bërë gjithçka më funksionale. Ndryshime u bënë edhe në mënyrën e procesimit të rezultateve. Por, ditës super të mirë të zgjedhjeve hije të keqe i qiti KQZ’ja.
Platforma e saj online u përball me shumë proleme, rezultatet nuk procesoheshin me kohë, ndërkaq në publik rriteshin dyshimet se diçka po ndodhte. Pesë ditë pas 9 shkurtit rezultatet e votave të partive politike ende nuk janë publikuar, votat nga diaspora, ato me kusht dhe të tjerat të personave me aftësi të kufizuara ende nuk janë numëruar, ndërkaq në disa komuna ende nuk ka nisur numërimi i votave për deputetë. Platforma online vazhdon të ketë probleme dhe qytetarët shpesh gjatë ditës nuk kanë mundësi t’i qasen. Ndërkohë, ekspertë të kibernetikës kanë shprehur shqetësimin se kjo platformë është sulmuar nga virusë që vjedhin të dhënat e përdoruesve, përderisa siguria nuk ka qenë në nivelin e duhur.
Kryesuesi i KQZ’së paralajmëroi se procesi i numërimit mund të zgjasë deri dy javë, njohës të procesit thonë se mund të zgjasë edhe më shumë. Bëhet fjalë për rreth 900 mijë vota. Çfarë do të ndodhte po të ishin më shumë? A do të zgjaste numërimi i tyre me muaj? Me këtë dinamikë, sigurisht po.
* * *
Ajo çfarë ka ngjarë dhe po ngjet me KQZ’në është e papranueshme dhe për gjithë situatën dikush duhet ta marrë përgjegjësinë. Nuk bëhet fjalë për kompromentimin e votës, sepse votat janë të siguruara e të mbrojtura, por bëhet fjalë për minimin e besimit për një proces që shkoi fer e korrekt deri në finale. Pse papërgjegjësia e dikujt duhet t’i hedh hije të keqe gjithçkaje? Është e pafalshme për KQZ’në që ta sjell situatën në pikën që qytetarët të brengosen se çfarë po ndodh më votën e tyre. Është e pafalshme që papërgjegjësia dhe neglizhenca e këtij institucioni të prish festën e demokracisë. Ajo çfarë ka ndodhur duhet të adresohet seriozisht, në mënyrë që të parandalohen situata të ngjashme në të ardhmen.