Basri Lenjani është dënuar me 6 muaj burgim me kusht dhe 500 euro gjobë për mosraportim të pasurisë.
Shpallja e aktgjykimit ndaj ish-drejtorit të Emergjencës në Shërbimin Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK), është bërë të hënën nga gjyqtarja Sulltane Hoti, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ky dënim me burgim prej 6 muajsh, Lenjanit nuk do t’i ekzekutohet nëse nuk kryen vepër penale brenda periudhës verifikuese prej 1 viti.
Mirëpo, në rast se i njëjti nuk e paguan dënimin me gjobë, ky dënim do t’i zëvendësohet me dënim me burg, duke llogaritur 20 euro një ditë të kaluar në burg.
Njëherësh, i akuzuari Lenjani obligohet të paguajë edhe shpenzimet procedurale. Kështu, në emër të paushallit gjyqësor dhe fondit për viktimat e krimit, ai do të paguajë 30 euro.
Pala e pakënaqur ndaj këtij vendimi ka të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh nga dita e marrjes së kopjes së këtij aktgjykimi.
Kjo aktakuzë e përpiluar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë e ngarkonte Lenjanin në mosdeklarimin e saktë të pasurisë gjatë detyrës zyrtare për vitin raportues 1 janar deri me 31 dhjetor 2019, në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK).
Njëherësh, nuk e ka delaruar as biznesin e bashkëshortes së tij, Fatime Lenjani, me emrin “OS Oral Dent”.
Përveç kësaj, sipas aktakuzës, Lenjani po ashtu nuk ka deklaruar edhe të hyrat vjetore në shumën prej 5 mijë e 125 euro e 55 centë, ku 2 mijë e 763 euro e 13 centë i ka pranuar në cilësinë e zyrtarit të lartë publik nga SHSKUK.
Nga ana tjetër, shumën prej 2 mijë e 441 euro e 10 centë i ka pranuar nga Kolegji Privat i Shkencave Mjekësore “Rezonanca” në cilësinë e profesorit të asocuar .
Për këtë, Lenjani akuzohej se ka kryer veprën penale “Mosraportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i dhuratave, i dobisë tjetër material ose i detyrimeve financiare” nga neni 430, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.