Ka dështuar sërish gjykimi ndaj Dardan Molliqajt, kryetarit të Partisë Socialdemokrate (PSD), dhe të akuzuarit tjetër Fatos Sahiti, pasi të njëjtit, kanë munguar në seancën e së mërkurës. Ndërsa, Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhërarrest ndaj Molliqajt.
Lidhur me mungesën e të akuzuarit Molliqaj, gjykatësja Vlora Pacolli-Rexhepi ka thënë se gjykata pas pranimit të raportit nga Policia e Kosovës, në të cilin thuhet se i njëjti nuk është i qasshëm në adresën e dhënë nga gjykata, më 1 qershor ka lëshuar urdhërarrest ndaj tij, i cili do të mbetet aktiv për një vit.
Molliqaj dhe shoqëruesi i tij akuzohen për sulm ndaj ish-zëvendëskryeministrit Haki Abazi, pasi një përleshje fizike kishte ndodhur në mes tyre, në një debat të zhvilluar në televizionin T7, më 11 shtator 2019. Kjo ka bërë që prokuroria të ngritë një aktakuzë për këtë rast.
Po ashtu, në seancë ka munguar edhe i dëmtuari Haki Abazi, për të cilin gjykatësja e rastit Pacolli-Rexhepi ka thënë se gjykata ka pranuar një parashtresë, përmes së cilës ai ka njoftuar se është i angazhuar jashtë vendit.
Në seancë e pranishme ishte avokatja e Abazit, Sadije Mjekiqi, raporton “Betimi për Drejtësi“, trasnmeton Portali D.
Në këto rrethana, seanca është shtyrë në një kohë të pacaktuar.
Gjykatësja Pacolli-Rexhepi ka bërë të ditur se për të akuzuarin Dardan Molliqaj, urdhërarresti mbetet aktiv, si dhe të sillet në gjykatë pas arrestimit.
Kurse, për të akuzuarin Sahiti, gjykatësja ka thënë se kanë lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim për këtë seancë, por nga Policia e Kosovës kanë pranuar një raport zyrtar se për të njëjtin është bërë verifikimi i adresës, mirëpo nuk kanë mundur që ta sigurojnë adresën e saktë.
Ky konstatim, sipas gjykatëses Pacolli-Rexhepi është kontradiktor me konstatimin sipas fletëdërgesës së dorëzuar përmes postës më 28 prill 2022 për seancën paraprake të 1 qershorit, ku është konstatuar se i njëjti refuzon pranimin e ftesës.
Ndërsa tani, sipas gjykatëses, konstatimi i Policisë është se adresa e të njëjtit është e panjohur. Andaj, për të akuzuarin Sahiti, lëshohet urdhërarrest që të arrestohet dhe të sillet menjëherë në gjykatë.
Seanca e radhës do të vazhdojë çdo kohë pas zbatimit të urdhërarresteve të lëshuara nga gjykata.
Reagon PSD-ja: Gjykata të publikojë dëshmi mbi dërgimin e rregullt të ftesave
Po ashtu, sipas anëtarës së kryesisë së PSD-së Natyra Kuçi, në lidhje me urdhërarrestin janë njoftuar nga mediat, duke shtuar se Molliqaj deri më tash nuk ka pranuar asnjë ftesë të rregullt nga gjykata.
Ndërkaq, ajo ka thënë se lëshimi i këtij urdhërarresti është nxjerrë në shpërputhje me kushtet e parapara ligjore. Ndaj, ka ftuar gjykatën të publikojë dëshmi mbi dërgimin e rregullt të ftesave.
Gjithashtu, ka thënë se Molliqaj do të vazhdojë agjendën e tij të përditshme të punës si çdo ditë tjetër.
Ndryshe, edhe seanca e paraparë për 1 qershor kishte dështuar për shkak se policia nuk e kishte zbatuar urdhrin e gjykatës për ta sjellë Dardan Molliqajn në seancë.
Sipas aktakuzës së ngritur më 18 shkurt 2020 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, të pandehurit Dardan Molliqaj dhe Fatos Sahiti akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Sulmi”.
Në aktakuzë thuhet se më 11 shtator 2019, rreth orës 22:00 në Fushë Kosovë, në Kolegjin “AAB”, të pandehurit e lartcekur pas përfundimit të debatit në emisionin “Presing” të studios së televizionit T7, ku ishin të ftuar Endrit Shala, Rexhep Hoti, Haki Abazi dhe Dardan Molliqaj, me të dalë në korridor të kolegjit AAB, i pandehuri Molliqaj fillimisht e ka thirrur të dëmtuarin Haki “ndalu këtu të flasim çka deshte me thënë në debat”, i cili ishte para tyre në korridor duke dalë në shoqëri me Rexhep Hotin.
Tutje, në aktakuzë thuhet se posa i afrohet i pandehuri Molliqaj me dashje, duke përdorur forcë e sulmon të dëmtuarin Haki Abazi në atë mënyrë që, fillimisht e ka kapur për duar e më pas e ka goditur me grusht në fytyrë dhe shqelma në këmbë.
Sipas aktakuzës, këtij sulmi i bashkëngjitet edhe i pandehuri Sahiti, i cili e godet të dëmtuarin me grusht deri sa i dëmtuari arrin t’i largohet dhe të ikë me shpejtësi në drejtim të studios së televizionit T7, dhe kështu i shqetësuar për rastin e thërret policinë.
Me këtë, Molliqaj dhe Sahiti akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Sulmi”, nga neni 184, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në një vit.