Analisti, Ylli Hoxha, ka thënë se reagimi i presidentes, Vjosa Osmani, për letrën e ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, dërguar Këshillit të Evropës (KiE), është skandaloz.
“Skandaloz për shumicën, sepse reflekton njëfarë përpjekje, këndej kërkon besim nga bashkësia ndërkombëtare, këndej vjen një shuplakë nga presidentja e cila është një lloj garantuese e procesit”, ka thënë Hoxha.
Hoxha ka thënë se kjo e bën joserioze qëndrimin e ministres, Donika Gërvalla, derisa është shprehur se kjo javë ishte “java e befasive” sa u përket zhvillimeve politike.
“Dilema e parë ishte që letra e dërguar nga zonja Gërvalla vjen vetëm një ditë pas 17 majit, po të ishte projekt më serioz, duhej të vinte disa ditë më para 17 majit në mënyrë që të trajtohet kjo objektivë që Qeveria e ka vendosur të jetë synimi i saj për anëtarësim në Këshill të Evropës”, ka thënë tutje Hoxha në “Debat Plus” në RTV Dukagjini.
Hoxha ka shtuar se letra e kryediplomates kosovare, Donika Gërvalla, është një iniciativë diplomatike që rikuperon këtë lloj “fiasko” që sipas tij, do të ndodhë nesër.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në një konferencë për medie, ka folur për letrën e drejtuar presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Theodoros Rousopoulos, ku thuhet se Qeveria e Kosovës është duke përgatitur një draft-statut për Asociacionin.
Lexo më shumë: Gërvalla u lutet ndërkombëtarëve që ta marrin seriozisht letrën e saj për “Zajednicën”
Gërvalla në atë letër është zotuar ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit, duke theksuar se Qeveria e Kosovës ka shprehur vullnetin dhe se shpreson se zotimi i saj të përmbushet.
E hapa konkretë për Asociacionin në lidhje me KiE, kishin kërkuar Franca, Gjermania e Italia.
Ndërsa, Presidenca e Kosovës ka deklaruar se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar dhe konsultuar në lidhje me letër që ia kanë adresuar Këshillit të Evropës.
Lexo më shumë: “Krisje” në mes të Kurtit e Osmanit? – Presidenca nuk e përkrah letrën drejtuar KiE-së
Në një përgjigje për Dukagjinin nga Presidenca kanë bërë të ditur se përkrahin qëndrime dhe veprime që janë të konsultuara dhe të koordinuara paraprakisht me ta.
“Presidentja Osmani përkrah vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me institucionin e Presidencës si institucion kushtetues me kompetenca të qarta në fushën e politikës së jashtme dhe si gardian i funksionimit kushtetues të institucioneve. Kjo letër nuk është e tillë. Mund të jetë konsultuar e koordinuar me individë jashtë institucioneve që sot e kanë publikuar këtë letër, por jo me Presidencën. Çdo derivat i letrës së zotimeve të nënshkruar nga tri institucionet duhet paraprakisht, po ashtu, të koordinohet dhe miratohet nga po këto tri institucione”, ka thënë këshilltari për medie i presidentes, Bekim Kupina, për Dukagjinin.