“Edhe ofruan Asociacionin, edhe morën grusht nga treshja e madhe evropiane”

Pushteti ka "rrëzuar në dy gjunjë" Kosovën, ka thënë ish-kryenegociatorja, Edita Tahiri për letrën e dërguar me vonesë KiE-së. Kjo letër është pa koordinim me presidenten Vjosa Osmani dhe si pasojë, sipas Tahirit, kemi rënë në një "gjendje të mjerueshme" e duke marrë "grusht nga treshja e madhe evropiane"

Ish-kryenegociatorja e Kosovës për dialogun me Serbinë, Edita Tahiri

Ish-kryenegociatorja e Kosovës për dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, ka reaguar lidhur me letrën dërguar KiE-së nga zv.kryeministrja dhe ministrja e punëve të jashtme, Donika Gërvalla dhe reagimin e Presidencës.

Tahiri ka thënë se Qeveria e ka “rrëzuar në dy gjunjë” Kosovën, duke thënë se kemi rënë në një “gjendje të mjerueshme”.

Ajo i ka cilësuar këto zhvillimet politike si “fatkeqësi katastrofale”.

“Edhe ofruan Asociacionin, edhe morën grusht nga treshja e madhe evropiane, ndërsa e lanë anash presidenten Osmani – e rrëzuan Kosovën në dy gjunjë – kurrë Kosova nuk ka lejuar të rrëzohet as në luftë as në paqe deri sot – është një porosi kur devja i thotë pronarit para se ta përfundojë jetën që të gjithë e dimë – në këtë gjendje të mjerueshme kemi rënë – fatkeqësi katastrofale”, ka shkruar Tahiri.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, të enjten e 16 majit ka njoftuar se Qeveria e Kosovës është duke përgatitur një draftstatut për Asociacionin, të cilin pritet ta dërgojë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit. Kjo është bërë e ditur në një letër drejtuar presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Theodoros Rousopoulos.

Ministrja Gërvalla ka njoftuar se në Kushtetuese do ta çojnë një draft-statut të përgatitur nga vetë qeveria dhe jo draftin evropian.

Mirëpo, kjo letër e Gërvallës është kritikuar shumë si nga opozita e shoqëria civile po ashtu edhe nga bashkësia ndërkombëtare dhe është konsideruar shumë e vonuar për anëtarësim të Kosovës në KiE.

Gjithashtu, edhe Presidenca e Kosovës ka reaguar për letrën e Gërvallës duke thënë se nuk janë koordinuar me Presidenten Osmani.