Deputeti holandez i Parlamentit Evropian, Thijs Reuten, ka deklaruar se përmes letrës së dërguar SHBA-ve dhe BE-së po kërkohet një qasje e balancuar ndaj dy palëve të dialogut Kosovë-Serbi.
Në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, Reuten ka deklaruar se ishte i kënaqur me iniciativën e ndërmarrë nga deputetët.
“Jam jashtëzakonisht i kënaqur për këtë iniciativë, sepse jo vetëm që është thirrje përreth Atlantikut – nga deputetë prej 13 vendeve të ndryshme me nismë të Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe Gjermanisë – por është edhe thirrje e thënë thjesht dhe qartë. Gjithçka që jemi duke kërkuar është një qasje më e balancuar dhe më proporcionale. Po kërkojmë dy gjëra: rikthim të negociatave për normalizim dhe ta stabilizojmë rajonin përmes një qasjeje të qartë e të koordinuar dhe jo ashtu siç e kemi parë në muajt e fundit”, ka deklaruar ai.
Reuten thekson se jo nënkupton një qasje më të ashpër ndaj presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
Lidhur me letrën e dërguar, eurodeputeti Reuten ka deklaruar se iniciativa e përbashkët e deputetëve tregon se kjo paraqet haptazi që kryediplomatët duan të veprojnë dhe nuk duan të lënë pezull çështjen e dialogut as gjatë muajve të verës.
Ai numëron tre hapa që duhet ndërmarrë gjersa vlerëson se vendime të vështira duhet të merren.
“Duhet lënë anash vetëkënaqësinë dhe qasjen e butë, dhe mendësinë e të mospërgjigjurit qartazi ndaj marrëveshjeve të kaluara. E dyta, duhet të ketë koordinim për dallim prej muajve të fundit që kemi parë tone dhe qëndrime të ndryshme sa i përket situatës mes Kosovës dhe Serbisë dhe ngjarjeve në Bosnjë e Hercegovinë. Së treti, duhet të jemi më të vendosur në atë se cila është rruga përpara. Kjo do të thotë se shtetet duhet të marrin vendime të vështira. Serbia duhet të marrë vendim të qartë për Evropën, në vend të miqësisë së ngrohtë me Rusinë e [presidentit rus, Vladimir] Putinit, por kjo nënkupton që edhe politikanët në Bosnjë e Hercegovinë duhet t’i caktojnë prioritetet që janë të domosdoshme për integrim në familjet evropian”, ka deklaruar ai.
Më 7 gusht, një letër iu dërgua shefit të diplomacisë të bllokut evropian, Josep Borrell, kryediplomatit amerikan, Antony Blinken dhe atij britanik James Cleverly, nga politikanë nga Evropa e SHBA-ja, duke kërkuar një distancim nga pala serbe.
Siç raporton Tagesspiegel, politikanët e huaj kanë kërkuar nga BE-ja e SHBA-ja më shumë distancë nga Serbia dhe të merren më në mënyrë kritike me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
Letra u mirëprit edhe nga ana e kryeministrit Albin Kurti. Ai falënderoi të gjithë politikanët pjesëmarrës.