“Letra me vërejtje” – UEFA i jep ultimatum FFK-së: Veproni menjëherë ose përjashtoheni nga Konventa e Referëve

Institucioni më i lartë i futbollit evropian, UEFA ka adresuar disa vërejtje dhe rekomandime për Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK).

Në një letër zytare, të dërguar më 19 qershor 2024 në adresë të FFK-së, e cila është siguruar nga TV Dukagjini, UEFA ka renditur disa çështje të rëndësishme që kërkojnë përmirësim në disa aspekte që lidhen me çështjen e referimit.

Largimi i delegimit të gjyqtarëve me short, arsyetimi i parave të fondit për referët dhe angazhimi i një menaxheri të përhershëm të referëve janë gjërat për të cilat kërkohet veprime të menjëhershme nga shtëpia e futbollit kosovar.

Në të kundërtën, sipas burimeve të televizionit, rrezikohet seriozisht përjashtimi nga Konventa e Referëve të UEFA-s.

Në javët në vazhdim, zyrtarët e UEFA-s dhe FFK-së do të kenë një takim tjetër.

Vërejtjet dhe rekomandimet kishin ardhur pas vizitës së Aleksandru Deaconu, anëtar i Panelit të Konventës së Arbitrave të UEFA-s si dhe përgjegjës i Konventës për Kosovën në UEFA.

Sipas UEFA-s, FFK duhet të sigurojë që aktivitetet e arbitrave të përputhen me parimet e Konventës së Arbitrave, që FFK-ja ka nënshkruar.

UEFA ka theksuar se, edhe pse përdorimi i procedurës së shortit për caktimin e arbitrave ishte miratuar për sezonin 2023/2024, nga sezoni 2024/2025, kjo përgjegjësi duhet të kthehet tek komiteti i arbitrave të FFK-së.

Në letër thuhet se në një takim të mbajtur online më 16 tetor 2023 mes kryetarit të FFK-së, Agim Ademi, kryetarit të Arbitrave të UEFA-s dhe tani Drejtorit Menaxhues të Arbitrimit në UEFA, Roberto Rosetti dhe Menaxherit të Lartë të Zhvillimit të Arbitrimit në UEFA, Solis Vasquez, ishte rënë dakord që, duke filluar nga sezoni 2024/2025, caktimi i arbitrave do të rikthehet në përgjegjësinë e komisionit të arbitrave.


Pavarësisht që sipas UEFA-s, është rënë dakord për një gjë të tillë, delegimi i gjyqtarëve me short po vazhdon edhe në këtë edicion në dy garat, Superligë dhe Ligën e Parë.

Për këtë mënyrë të delegimit të gjyqtarëve ka pasur kritika nga ekspertët e referimit në Kosovë, por një gjë e tillë ka qenë e pëlqyeshme nga vetë i pari i FFK-së, Agim Ademi.

“Ne e kemi bërë shortin, se nuk ka send më të pastër se shorti”, kishte thënë Ademi ndër të tjerash në prill të vitit të kaluar për Kanal10, duke mohuar kategorikisht që mund të jetë edhe i manipuluar.

Megjithatë, në letrën e UEFA-s është potencuar se “për të siguruar një proces transparent dhe të drejtë, është e rëndësishme që caktimi i arbitrave të jetë nën përgjegjësinë e komitetit.”

Po ashtu, UEFA ka kërkuar që buxheti i aktiviteteve të arbitrave të menaxhohet me kujdes dhe të mbetet nën përgjegjësinë e plotë të departamentit të arbitrimit, duke ofruar një raportim të detajuar të të ardhurave dhe shpenzimeve, duke përfshirë burimet financiare nga Konventa e Arbitrave, alokimet nga Federata dhe sponsorizimet.

Një tjetër vërejtje që UEFA ka bërë ka të bëjë me pozitën e menaxherit të arbitrave. Këtë pozitë aktualisht e mban gjyqtari me stemën e FIFA-s, Visar Kastrati.

Në letrën e UEFA-s, theksohet nevoja urgjente për angazhimin e një menaxheri të përhershëm të arbritrave, i cili duhet të angazhohet, si dhe përgjegjësitë e lidhura me këtë pozitë, duhet të adresohen dhe të finalizohen.

Në fund të letrës, UEFA ka shprehur gatishmërinë për të vazhduar mbështetje dhe bashkëpunim me FFK-në dhe për të siguruar avancimin e mëtutjeshëm të arbitrave, nëpërmjet një partneriteti të ngushtë.

“Ne shpresojmë që FFK të marrë masa për zgjidhjen e këtyre çështjeve dhe të vazhdojmë bashkëpunimin tonë për zhvillimin e arbitrimit në Kosovë,” thuhet në letrën e UEFA-s.

TV Dukagjini ka kontaktuar FFK-në lidhur me këtë çështje, duke kërkuar një sqarim më të hollësishëm për vërejtjet dhe rekomandimet nga UEFA, megjithatë deri në publikimin e këtij artikulli nuk kemi marrë asnjë përgjigje.

Shija e redaktorit

Nesër, shtëpia botuese “Dukagjini” promovon librin “Shumica e poezive” nga...

Libri “Shumica e poezive” nga autori Tom Lanoye do të promovohet nesër, më 28 shkurt, ditën e premte, në orën 18:00, në librarinë “Dukagjini”...

Ushtria amerikane numër 1 në botë, FSK e fundit në...

Kosova është me fat, sepse miku më i madh i saj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten bindshëm larg fuqia më e madhe ushtarake...

Shtëpia botuese “Dukagjini” nesër promovon librin “Aneta: një epos heroinash”...

Për të gjithë ju, dashamirë të librit, ju njoftojmë që shtëpia botuese “Dukagjini, më datë 21 shkurt, ditën e premte, në orën 18:00, në...

Të fundit nga rubrika