Lëvizja për Bashkim(LB) ka reaguar në lidhje me denimin e ish-komandantit të UÇK-së, Salih Mustafa me 26 vjet burgim.
Në reagimin e LB-së thuhet se vendimet politike të një gjykate nuk mund ta ndërrojnë karakterin e një lufte.
“Që nga mënyra e krijimit, nga presioni i jashtëzakonshëm ndërkombëtar mbi institucionet e Kosovës dhe mbi përfaqësues të saj, nga kërcënimi publik se “nëse nuk e formojmë ne, e formon Rusia në kuadër të OKB-së”, e deri te qëllimi i hapur i saj (“të dy palët fajtore” dhe “pajtimi i palëve”), ka qenë e qartë se kjo gjykatë nuk do të ndajë drejtësi, por do të shpallë vetëm vendime politike. Kjo edhe ndodhi sot”, ka shkruar Lëvizja për Bashkim.
Tutje thuhet se “Lëvizja për Bashkim, pa asnjë luhatje, që nga fillimi ka qenë kundër krijimit të kësaj gjykate, e veçanërisht jo para se ta marrë dënimin e merituar agresori dhe mekanizmat e tij, të cilët janë përgjegjës për shumë masakra të tmerrshme në Kosovë dhe për mijëra dhunime e për shkretimin e plotë të Kosovës”.
Mes tjerash Lëvizja për Bashkim ka potencuar se lufta e tyre ka qenë e drejtë dhe çlirimtare.