Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e ka nisur fushatën për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në qytetin e Gjakovës për dallim nga PDK dhe LDK të cilat hapën fushatën në kryeqytet.
Kandidati për kryeministër i LVV-së, Albin Kurti ka thënë se me qeverisjen e tij “Kosovës së pavarur ia shton zhvillimin, e ia heq korrupsionin, ia shton prodhimin e ia heq mjerimin”.
Kurti gjatë fjalimit është marrë edhe me partitë që kanë udhëhequr në të kaluarën duke thënë se “vendit i kanë bërë dëmin më të madh me fqinjin më të keq”.
“Njëra prej këtyre partive LDK-ja është e tillë që presidentit të Serbisë i thotë razumem e partia tjetër PDK-ja është e tillë që presidentit të Serbisë i thotë ‘we are not problematic guys’. Por koalicioni jonë i thotë atij qysh është, ministër i Millosheviqit, aparati shtetëror i të cilit nuk do të ketë vend sepse do ta ndjekim në çdo kënd cep më cop në republikën e pavarur e progresiste të Kosovës”, ka thënë ai.