Çështjes së liberalizimit të vizave pritet së shpejti t’i largohet pluhuri nga sirtarët e BE-së.
Dy javë para se Kosova të jetë në agjendën e grupit punues të Këshillit Evropian më 13 tetor, do të realizohet një vizitë e rëndësishme në Kosovë.
Jan Lipavsky, ministër i Jashtëm i Çekisë, shtetit që udhëheq presidencën e BE-së, gjatë së enjtes do të qëndrojë në Prishtinë.
Kryediplomati çek fillimisht do të pritet në takim nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, pastaj nga shefi i tij, kryeministri Albin Kurti dhe më pas nga presidentja Vjosa Osmani.
Agjendën e tij e ka konfirmuar Qeveria e Çekisë për RTV Dukagjini.
Në përgjigjen e saj thuhet se shteti çek është i interesuar të çojë përpara integrimin e Ballkanit, përfshirë heqjen e vizave për Kosovën.
“Parakusht për liberalizimin e vizave është sigurisht plotësimi i një numri të madh kushtesh shumë teknike. Komisioni Evropian vazhdimisht ka konfirmuar se Kosova tashmë i ka përmbushur kushtet e përcaktuara për liberalizimin e vizave. Më pas, nëse të ashtuquajturat përditësime teknike të raportit të gatishmërisë së Kosovës për integrimin e vizave rezultojnë të mira, Presidenca Çeke llogarit që shtetet anëtare të merren me këtë çështje gjatë vjeshtës”.
Këtë vizitë në Kosovë e vlerëson si tejet të rëndësishme profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi.
“Ardhja e ministrit të jashtëm përçon mesazh kredibiliteti të Bashkimit Evropian. Pra njëfar mënyra vërehet që ka pasur një koordinim të politikave brenda BE-së që Kosovës t’i ofrohet diçka që BE-ja edhe në Kosovë ta fitojë atë kredibilitetin politik dhe besueshmërinë që kështu si funksionojnë partnerët në politikën e jashtme. Pra krijohet ajo besueshmëria reciproke”, ka thënë Arifi.
Por, profesori Arifi konsideron se pesha e kësaj vizite është më e madhe se vizat.
“Momentumi dhe faza dhe koha që po vjen ministri i jashtëm çek është përkrahja për Kosovën, jo vetëm në aspektin e vizave por edhe për shkak të integrimit të Kosovës në familjen e madhe evropiane, ky është një hap jashtëzakonisht shumë i madh pozitiv, dhe e dyta përkrahja për sovranitetin dhe integritetin e Kosovës për shkak të rrethanave që po krijohen në Ballkan”, ka vijuar ai.
Arifi pret që sivjet të merret vendimi për liberalizim dhe vizat të hiqen formalisht brenda 6 muajve të vitit të ardhshëm.
Komisioni Evropian disa herë ka theksuar se Kosova ka plotësuar kriteret për heqjen e vizave.
Për të fituar liberalizimin, një shtet duhet të kalojë nëpër 13 hapa. Kosova deri më tani ka kaluar katër të tillë.
Në vazhdim grupi punues i Këshillit Evropian pritet të marrë një vendim në mënyrë që procesi të shkojë në Parlamentin Evropian, institucion ky i cili duhet të kërkojë hapjen e dialogut tripalësh ndërmjet Komisionit, Parlamentit dhe Këshillit.
Më pas çështja kthehet sërish në grupet punuese, para se të shkojë te Këshilli i Ministrave e i cili e thotë fjalën përfundimtare për vizat.