Presidenca Çeke ka konfirmuar se janë afër kompromisit që liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës të hyjë në fuqi më një janar të vitit 2024.
Kjo datë ishte kërkesë e Spanjës, njërit prej pesë vendeve të BE-së që nuk e njeh ende pavarësinë e Kosovës.
“Jemi shumë afër një kompromisi në Këshill për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën. Data me të cilën punojmë është aktualisht 01.01.2024. Kjo është gjithçka që mund të lëshojmë aktualisht”, ka thënë presidenca çeke për Portali Dukagjini.
Paraprakisht, Republika Çeke – e cila aktualisht udhëheq presidencën gjashtëmujore të BE-së, kishte kërkuar që liberalizimi i vizave për Kosovën të fuqizohet më një dhjetor të vitit 2023.
Por, ky propozim nuk kaloi në një takim të grupit punues të BE-së për vizat që u mbajt javën e kaluar, pasi Spanja e më pas edhe Sllovakia dhe Suedia paraqitën vërejtje dhe kërkuan, siç thanë, sqarime shtesë.
Vendet anëtare të Bashkimit Evropian në takimin e grupit punues për vizat kanë përafruar qëndrimet rreth një kompromisi, sipas të cilit do të miratohej vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, që do të hynte në fuqi më një nëntor 2023, kur do të nisë edhe zbatimi i sistemit Evropian të informimit dhe autorizimit të udhëtimit (ETIAS).
Grupi punues për vizat në Këshillin e Bashkimit Evropian ka diskutuar të enjten e 10 nëntorit, për herë të dytë, për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Diskutimi i parë është zhvilluar më 13 tetor, kur shumica e vendeve anëtare të BE-së e kanë mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën.
Franca, megjithatë, ka kërkuar që hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave të lidhet me funksionalizimin e sistemit të udhëtimit ETIAS.
Ky sistem digjital synon të bëjë evidentimin e vizitorëve që hyjnë prej jashtë BE-së në zonën e lëvizjes së lirë, Schengen. Ai është dashur të nisë së funksionuari në vitin 2022, por data është shtyrë disa herë dhe tani si afat përmendet nëntori i vitit 2023.
Shtetet që e kanë kundërshtuar lidhjen me ETIAS, e kanë argumentuar këtë me faktin se ai sistem mund të mos jetë gati as më 1 nëntor të vitit 2023, dhe kjo do ta shtynte përsëri hyrjen në fuqi të liberalizimit të vizave për Kosovën.
Prandaj, sipas interpretimit të disa diplomatëve, formulimi i ri do të lërë hapësirë që liberalizimi të hyjë në fuqi edhe në rast se do të shtyhet përsëri zbatimi i sistemit ETIAS.
Presidenca çeke e Bashkimit Evropian tash duhet të përgatisë një draft të ri të propozimit, i cili do të futet në procedurën e heshtur në Këshill në nivelin e grupit punues.
Nëse asnjë shtet nuk e kundërshton tekstin e ri deri në një afat të caktuar, me gjasë deri në mesin e javës që vjen, atëherë kjo dosje do të bartet për vendim tek ambasadorët e vendeve anëtare në Këshill, trupin e njohur si Coreper.
Pastaj do të niste edhe trialogu formal me Parlamentin Evropian dhe Komisionin, në mënyrë që të finalizohej i tërë vendimi.
Diplomatët në BE thonë se “synimi është që deri më datën 6 dhjetor, kur në Tiranë zhvillohet samiti BE-Ballkani Perëndimor, të ketë vendim për këtë çështje në mënyrë që kjo të përmendet si një prej rezultateve të BE-së në raportet me vendet e rajonit”.
Diskutimi i së enjtes në grupin punues ishte i dyti me radhë për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Diskutimi i parë ishte zhvilluar më 13 tetor dhe atëherë shumica e vendeve e kishin mbështetur liberalizimin e vizave, asnjë nuk ishte shprehur kundër, por Franca kishte kërkuar që hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave të lidhet me hyrjen në fuqi të sistemit ETIAS.