Pas dy vjetësh mungesë, organizohet edicioni i 22-të i Panairit të Librit në Kosovë, me moton “Libri mbron mendjen”.
Shtëpia botuese “Dukagjini”, e cila do të jetë pjesë e panairit në Prishtinë, sjell për lexuesit një sërë librash të rinj.
Gjashtë botime të reja, si dhe katër botime të tjera përmes imprintit “Lekë”, do të jenë risi nga shtëpia botuese “Dukagjini” në Panairin e 22-të të Librit.
Për Portali D, redaktori nga shtëpia botuese “Dukagjini”, Fatjon Zekaj, ka theksuar se “Dukagjini” në këtë panair do të vijë me botime nga fusha e letërsisë, të gjitha në prozë, por që nuk do të mungojnë librat psikologjikë dhe për fëmijë.
Nga kolana më e re “Anima” do të ketë tituj të tjerë të rinj dhe të jashtëzakonshëm si, “Shtrëngimi i vidhës” nga Henry James, “Shënimet e një të vdekuri” nga Mihaill Bullgakov.
Kurse nga greqishtja në shqip, do të jetë edhe libri “Varfanjaku i Zotit” i Nikos Kazantzakis, i përkthyer nga Romeo Çollaku.
Ndërsa, një titull tjetër mjaft i rëndësishëm për lexuesit është edhe “Maitreji” i Mircea Eliades, që vjen po ashtu për herë të parë në shqip.
Gjithashtu, shtëpia botuese “Dukagjini”, e cila ka të drejtën ekskluzive për botimin e gjashtëmbëdhjetë veprave nga nobelisti Hermann Hesse në gjuhën shqipe, vjen edhe me romanin më të njohur të tij, “Ujku i stepës” dhe me romanin “Peter Camenzind”, që është njëkohësisht romani i parë i autorit, i cili ia hapi rrugën e famës mbarëbotërore.
Përveç “Ujkut të stepës”, ka edhe vepra të tjera, të cilat vijnë si përkthime për herë të parë në gjuhën shqipe, duke kontribuuar te lexuesit shqiptarë.
Një tjetër libër i ri dhe i një rëndësie të veçantë i botuar nga “Dukagjini” është edhe “Mëngjes te Tiffani” i Truman Capotes, një novelë ikonike, me famë dhe përmasa botërore.
Shtëpia botuese “Dukagjini” sjell, gjithashtu, gjashtë libra të mrekullueshëm për fëmijë të autorit të mirënjohur, Gianni Rodari.
Ndërkaq, përveç atyre që preokupohen nga letërsia e mirëfilltë, “Dukagjini” përmes imprintit LEKË, sjell risi të shumta në librat e parapsikologjisë me tituj si, “Truri i fëmijës” i Daniel J. Siegelit dhe Tina Payne Brysonit, “Mindsight” i Daniel J. Siegelit, e po ashtu edhe “Pse s’ma ka thënë njeri më parë” nga Julie Smithit.
Libri “Frida”, një biografi për piktoren Frida Kahlo, fton edhe tipin e lexuesve të pasionuar pas biografive të personaliteteve botërore.
Ndërkaq, libri “Inteligjenca Artificiale” i Matthew Burgess, fton lexuesin kureshtar për të parë ndikimin dhe formësimin e së ardhmes nga inteligjenca artificiale.
Nga imprinti LEKË do të ketë botime të veprave të autorëve shqiptarë, ku do të jenë edhe dy veprat e autori Shpëtim Selmani, “Libërthi i dashurisë” dhe “Balada e buburrecit”.
Në organizimin e edicionit të 22-të të Panairit të Librit do të jetë i ftuar shkrimtari francez Claude Arnaud, një emër shumë i njohur i letërsisë franceze dhe fitues i disa çmimeve kryesore letrare në Francë.
Këtë për Portali D, e konfirmoi kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli, i cili, ka thënë se pritet të vijnë edhe autorë tjerë të huaj si Najwan Darwish dhe Zuvdija Hodgic.
Po ashtu, në Panairin e Librit nuk do të mungojnë shkrimtarët e njohur shqiptarë dhe liderët e Kosovës, prania e të cilëve, sipas Zenelit, e nderon panairin.
“Shumë shkrimtarë të njohur shqiptarë do të jenë të pranishëm në panair, duke e kthyer panairin në festë. Nga institucionet, priten të vijnë Presidentja, Kryeministri, Kryeparlamentari, Minsitri i Kulturës, dhe Kryetari i Komunës së Prishtinës”, deklaroi Zeneli, për Portali D.
Në Panairin e Librit pas dy vjetësh pauzë, për shkak situatës pandemike, numri i vizitorëve do të jetë më i shtuar, ku priten të jenë rreth 40 mijë vizitorë, për gjashtë ditët sa do të zgjasë panairi.
“Panairi i Librit i Prishtinës është një nga ngjarjet kulturore që grumbullon më shumë njerëz në vend. Priten rreth 40 mijë vizitorë ta vizitojnë panairin për gjashtë ditë sa zgjat”, u shpreh Zeneli, për Portali D.
Sipas tij, ky Panair i Librit është një mundësi e jashtëzakonshme, pasi lexuesit, do të kenë mundësinë që në një vend t’i kenë botimet e reja dhe të gjithë botuesit.
“Është një mundësi e jashtëzakonshme, në fakt, sepse lexuesit kanë mundësinë t’i kenë të gjithë botuesit në një vend dhe të njoftohen për të gjitha botimet e reja”, u shpreh Zeneli, për Portali D.
Ndërsa, Zeneli tha se motivi kryesor i Panairit të Librit është mundësia e jashtëzakonshme edhe për shkrimtarët, ku sipas tij, ata promovojnë veprën e tyre dhe kanë mundësi të flasin me lexuesit.
“Panairi i Librit është mundësi e jashtëzakonshme për shkrimtarët që ta promovojnë veprën e tyre, të flasin me lexuesit, ta prezantojnë atë. Ky është edhe motivi kryesor i panairit, në fakt”, tha ai.
Sipas tij, përparësitë e librave që do të shfaqen janë që dalin ekskluzivisht për panairin, duke e bërë kështu panairin një ngjarje që merr jehonë të madhe.
“Të gjithë botuesit e rëndësishëm shqiptarë janë të pranishëm në panair dhe kjo bën që lexuesit ta kenë mundësinë të njoftohen me të gjitha botimet shqip që qarkullojnë”, shtoi Zeneli, për Portali D.
Kryetarit i Shoqatës së Botuesve ka thënë se nga këtë vit në panair priten të jenë mbi gjashtë mijë tituj të rinj, dhe rreth dy mijë nga panairi i kaluar.