Ai që promovon paqen dhe harmoninë në botë do të njihet nga afër me vuajtjet e shqiptarëve të Kosovës para dy dekadave.
Kreu i Vatikanit, Papa Françesku do të mësojë për mizorinë dhe të bëmat e shtetit serb gjatë luftës së fundit.
Këtë do ta mundësojë ish-pjesëtari i UÇK-së e publicisti, Nusret Pllana.
Libri i famshëm i tij me titull “Terrori i Serbisë Pushtuese mbi Shqiptarët” i përkthyer në nëntë gjuhë, më 25 maj do të jetë në duart e një prej personave më të rëndësishëm që promovojnë paqen në botë.
“Ai njeri që ka ndikim të madh, një personalitet me famë jo vetëm evropiane por edhe botërore, vet fakti që na ka pranuar, ka pranuar ftesën për tu takuar dhe për të ia dorëzuar këtë libër, jep me kuptua që edhe ai më në fund e ka pranuar publikisht dhe botërisht që mbi këtë popull të vjetër është ushtruar dhunë, janë bërë masakra e gjenocid”, ka thënë Pllana.
Veprimtari Pllana ndër të tjera thotë që është padrejtësi që ata që kanë kryer krime në Kosovë enden të lirë e ish-krerët e UÇK-së mbahen në Hagë.
“Unë jam i bindur që ata do të dalin të pafajshëm por për fat të keq ata po keqtrajtohen e po torturohet një popull i tërë, po shpenzohen mijëra të holla nga buxheti i shtetit të Kosovës edhe ashtu të rënduar mjaftë. Dhe në fund e gjithë kjo do të përfundoj siç thotë populli “Polli elefanti miun”.
Pllana ishte zëri i parë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndërmjet frekuencave.
Ai gjatë kohës së luftës si gazetar kumtoi rrjedhën e saj ndërmjet Radio Kosovës së Lirë.
Për televizionin Dukagjini ai ka rrëfyer këto momente.
“Si rezultat i një disipline tipike ushtarake, të gjithë anëtarët e Radio Kosova e Lirë e kemi dhënë rezultatin maksimal që ta informojmë kombin mbarëshqipar për barbaritë dhe mizoritë serbe që i bënin në veçanti mbi civilët”.
Nusret Pllana ishte edhe zëvendësministër dhe ministër i kulturës në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës gjatë viteve 1999-2000.
Njëkohësisht, ka udhëhequr sektorin e Arkivit të UÇK-së nga viti 2002-2006.
Aktualisht është ligjërues i Universitetit “Hasan Prishtina” të Prishtinës.