Liderët e BE-së mblidhen në Bruksel për mbrojtjen dhe ndihmën ndaj Ukrainës

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy, majtas, flet me Presidentin e Këshillit Evropian Antonio Costa, 2024.

Liderët e Bashkimit Evropian po mblidhen këtë të enjte në Bruksel për një samit të posaçëm mbi mbrojtjen, pas paralajmërimit të presidentit francez Emmanuel Macron se kontinenti ndodhet në një “pikë kthese të historisë”.

Kryefjala e diskutimeve pritet të jetë riarmatimi i Evropës dhe mbështetja për Ukrainën, veçanërisht pas deklaratës së presidentit amerikan Donald Trump se do të pezullojë ndihmën për Kievin.

Në samit është ftuar edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Pas takimit mes Trump dhe Zelenskyt në Shtëpinë e Bardhë javën e kaluar, tensionet në Evropë janë rritur ndjeshëm.

Siç raporton BBC, shumë liderë shqetësohen se administrata e re amerikane po anon drejt një afrimi me Rusinë e Vladimir Putinit, duke vënë në dyshim mbështetjen tradicionale të SHBA-së për sigurinë evropiane.

Vendimi i Uashingtonit për të ndalur shkëmbimin e inteligjencës me Ukrainën ka shtuar edhe më shumë pasigurinë. Për këtë arsye, Macron deklaroi të mërkurën se Franca është e gatshme të diskutojë mundësinë e zgjerimit të mbrojtjes bërthamore për aleatët evropianë.

Ky propozim vjen pas thirrjes së Friedrich Merz, i cili pritet të bëhet kancelari i ardhshëm i Gjermanisë, për një bashkëpunim më të gjerë në fushën bërthamore.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka cilësuar situatën si një “rrezik të qartë dhe të pranishëm” për kontinentin.

Ndërkohë, Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, ka theksuar se ky është një “moment përcaktues për Ukrainën dhe sigurinë evropiane”.

Plani “ReArm Europe”: 800 miliardë euro për mbrojtjen

Në një përpjekje për të forcuar mbrojtjen evropiane, Ursula von der Leyen ka propozuar një paketë të re investimesh ushtarake të quajtur “ReArm Europe”, e cila synon të rrisë ndjeshëm shpenzimet e mbrojtjes dhe të ulë varësinë nga SHBA.

Tre pikat kryesore të planit përfshijnë:

  • Lehtësimin e kufizimeve buxhetore, duke u lejuar shteteve anëtare të rrisin shpenzimet për mbrojtjen.
  • 150 miliardë euro kredi për investime në mbrojtje, përfshirë mbrojtjen ajrore, sistemet kundër dronëve dhe infrastrukturën ushtarake.
  • Riorientimin e fondeve të politikës së kohezionit drejt mbrojtjes, duke u dhënë vendeve më shumë fleksibilitet financiar.

Banka Evropiane e Investimeve do të angazhohet gjithashtu në financimin e projekteve ushtarake, ndërsa në total, plani synon të mobilizojë rreth 800 miliardë euro për forcimin e mbrojtjes evropiane.

Liderët evropianë kanë theksuar se veprimet duhet të jenë të shpejta dhe vendimtare, për të garantuar që kontinenti të mos mbetet i ekspozuar ndaj kërcënimeve të jashtme.

Shija e redaktorit

Nesër, shtëpia botuese “Dukagjini” promovon librin “Shumica e poezive” nga...

Libri “Shumica e poezive” nga autori Tom Lanoye do të promovohet nesër, më 28 shkurt, ditën e premte, në orën 18:00, në librarinë “Dukagjini”...

Ushtria amerikane numër 1 në botë, FSK e fundit në...

Kosova është me fat, sepse miku më i madh i saj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten bindshëm larg fuqia më e madhe ushtarake...

Shtëpia botuese “Dukagjini” nesër promovon librin “Aneta: një epos heroinash”...

Për të gjithë ju, dashamirë të librit, ju njoftojmë që shtëpia botuese “Dukagjini, më datë 21 shkurt, ditën e premte, në orën 18:00, në...

Të fundit nga rubrika