Lidhja e Bizneseve të Kosovës, ka dhënë mbështetjen e saj për protestën e thirrur për nesër kundër shtrenjtimit të rrymës, duke ftuar bizneset që edhe ato të ngrihen kundër rritjes së çmimit të energjisë.
Në komunikatën për media, thuhet se Lidhja e Bizneseve të Kosovës e mbështet fuqishëm protestën e thirrur për datën 5 prill, të cilën LBK e cilëson si një akt të domosdoshëm për të kundërshtuar rritjen e paralajmëruar dhe të papërballueshme të çmimit të energjisë elektrike.
‘‘Kjo rritje nuk është barrë që duhet ta mbajnë qytetarët dhe bizneset, por është pasojë direkte e dështimeve të institucioneve – të cilat kanë neglizhuar për vite me radhë investimet në prodhimin dhe mirëmbajtjen e energjisë’’, thuhet mes tjerash në komunikatë.
Po ashtu, nga LBK thuhet se rritja e çmimit të energjisë është një sulm direkt ndaj ekonomisë, e cila do të shkaktojë: Rënie të fitimit për mijëra biznese; Humbje të vendeve të punës; Mbyllje të ndërmarrjeve të vogla; Rritje të çmimeve për qytetarët.