Në seancën e së enjtes, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Këshillin Prokurorial është lajm i mirë për drejtësinë në Kosovë.
Kjo deklaratë e ka shtyrë që të reagojë ministren e Drejtësisë Albulena Haxhiu.
Ministrja Haxhiu ka thënë se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për KPK-në nuk është lajm i mirë për drejtësinë, por mund të jetë lajm i mirë vetëm për opozitën dhe grupet e interesit brenda sistemit të drejtësisë.
“Është lajm i mirë vetëm për juve si parti opozitare dhe për grupet e interesit brenda sistemit të drejtësisë, sa kanë përgjegjësi sistemet e drejtësisë për mosveprim dhe neglizhencë, po ashtu aq keni edhe ju përgjegjësi që e keni ndrydhur dhe shtrydhur sistemin e drejtësisë për interesa të juaja personale”, ka thënë Haxhiu.
Ndërsa deputetja e PDK-së, Deliu-Kodra, i është kundërpërgjigjur duke i thënë se ky është një atakim ndaj institucioneve të pavarura të drejtësisë.
Ajo ka drejtuar një pyetje për kryeministrin Albin Kurti, duke i thënë se a janë superkriminelë shkelësit e Kushtetutës, duke iu referuar deklaratave të tij të mëhershme.
“Ky shtet themelet e së cilit janë krijuar me mund e sakrifica nuk do të shndërrohet në shtet autoritar dhe nuk mund të ketë atakim të institucioneve të pavarura të drejtësisë. Edhe kjo që sapo bëtë është përpjekje e re që të sulmoni institucionet e pavarura të drejtësisë, ku e merr guximin të atakoni një institucion të tillë, ju po folni për drejtësi, e në fakt e kisha një pyetje për Kurtin, a janë superkriminelë shkelësit e Kushtetutës?”, ka theksuar Deliu-Kodra.