FSK vepron në tërë territorin e Republikës së Kosovës nëpërmjet zinxhirit të unifikuar komandues.
Tekstualisht kështu thuhet në nenin 23 të Ligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës, plotësim ndryshimet e të cilit u votuan një ditë më parë në Kuvend.
Por në teren, ka një situatë pak më ndryshe.
Në veriun e Kosovës nuk mund të operojnë pjesëtarët e Ushtrisë së Kosovës, të paktën pa një dakordim me KFOR-in.
E gjithë kjo pasi 9 vjet më parë, ish presidenti Hashim Thaçi ishte dakorduar me NATO-n për ta rikonfirmuar edhe para 4 viteve se pa koordinim me KFORIN, FSK-ja nuk do të shkelë në veri.
Lidhur me këtë çështje gjatë ditës nuk kanë kthyer përgjigje nga Ministria e Mbrotjes.
Megjithëkëtë, një përgjigje e pati NATO, në të cilën thuhet se nuk kanë pranuar kërkesë për operim të FSK-së në Veri.
“Sipas marrëveshjeve ekzistuese, Forca e Sigurisë së Kosovës mund të dislokohet në veri të Kosovës vetëm me pëlqimin paraprak nga komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, aktualisht gjeneralmajor Ristuccia. KFOR-i nuk ka pranuar asnjë kërkesë për këtë. Me ndryshimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në vitin 2018, Këshilli i Atlantikut të Veriut po rishqyrton nivelin e angazhimit të NATO-s me FSK-në”, thuhe tnë përgjigjien e NATO-s.
Pro veprimit të FSK-së në Veri është edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca veçse në koordinim me KFOR-in.
“FSK-ja është e Kosovës dhe unë mendoj që ka të drejtë të veproj në tërë territorin e Kosovës. Për të tjerat sa I përket mënyrës së angazhimit, sa I përket operacioneve të veçanta, ushtrimeve, apo ndonjë çështje tjetër, ne nuk do të bëjmë asgjë pa një koordinim me miqtë tanë ndërkombëtar dhe me NATO-n”, ka thënë Konjufca.
![](https://www.dukagjini.com/wp-content/uploads/2022/11/Gkauku.jpg)
Ndërkohë, ish eprori i lartë i FSK-së tani deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, thotë se operimi i ushtrisë në veri lidhet më shumë me kapacitetet ushtarake.
“Ligji është ligj, kushtetuta është kushtetutë dhe i jep drejtës FSK-së me mbrojt integritetin territorial edhe me pas shtrirje në tërë territorin e vendit por me ngritjen e kapaciteteve marrim kompetencat dhe përgjegjësitë nga KFOR-i dhe vazhdojmë me kryerjen e Misionit. Derisa nuk I kemi këto kapacitete atëherë KFORI e ka përgjegjësinë për sigurimin e integritetit dhe mbajtjen e ambientit të sigurtë. Kjo ka me shku në mënyrë të sinkronizuar nuk duhet paragjykuar për atë se ligji thotë kështu e ju ende skeni kompetenca”, ka thënë Berisha.
![](https://www.dukagjini.com/wp-content/uploads/2022/11/Hisen-Berisha-PDK.jpg)
Nga ana tjetër ish gjenerali i FSK-së Kadri Kastrati thotë se gjatë kohës që ka qenë komandant disa herë pjesëtarët e FSK-së kanë shkuar në veri.
Ai thotë se nuk sheh ndonjë pengesë që FSK-ja të ketë qasje në disa pika të veriut.
“Gjatë kohës sa kam qenë komandant dy herë, pas asaj marrëveshje, dy herë Forca e Sigurisë së Kosovës ka qenë në veri të Kosovës, për projekte të ndryshme, në bashkëpunim me KFOR-in, edhe sot FSK-ja mund të operojë, në atë pjesë të territorit të Kosovës, në bashkëpunim me KFOR-in”, ka thënë Kastrati.
![](https://www.dukagjini.com/wp-content/uploads/2022/11/Kadri-Kastrati-ish-gjeneral-i-FSK-se.jpg)
Përndryshe në vitin 2021, Albin Kurti nga cilësia e kryeministrit e pati dërguar në prokurori marrëveshjen e nënshkruar mes NATOS dhe Hashim Thaçit pasi e konsideronte të dëmshme për vendin.