Atasheu ushtarak është një mision e mandat i një rëndësie të veçantë në Forcën e Sigurisë së Kosovës, andaj të tillë mund të bëhen vetëm kolonelët dhe nënkolonelët e ushtrisë.
Si të tillë ata shërbejnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Angli, Gjermani, Francë, Kroaci, në Turqi, Shqipëri dhe në Slloveni në mënyrë jorezidente.
Për përfaqësimin e reprezentimin e dinjitetshëm të Kosovës edhe paga e tyre ka qenë e tillë deri një muaj më parë.
Por këta atashe ushtarakë që janë paguar 3 mijë e 200 euro, me ligjin e ri u janë ulur drastikisht pagat.
588 euro është shuma që ka dalë në llogaritë e tyre këtë muaj, gati aq sa është paga e një shërbyesi civil në ambasadat e huaja.
Koeficienti i pozitës së atasheut me ligjin e ri të pagave është 5.8. Bile televizioni mëson se të njëjtit e kanë të paqartë vazhdimin tutje të shërbimit, teksa e konsiderojnë mundësinë e kthimit, grada që kanë në Kosovë paguhet mbi 1 mijë euro.
Amatorizëm dhe absurditet po e konsideron këtë kategorizim ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati, i cili thotë se reprezentimi i atasheut ushtarak shpesh e kalon atë të ambasadorëve nëpër botë.
“Për arsye se atasheu ushtarak, ka nevoja të lloj-llojshme, punon në zgjerimin e kontakteve , bashkëpunimin ushtarak të sigurisë trajnime e shkollime ushtrime të ndryshme që është një përfaqësues i Ushtrisë së Kosovës, jashtë Kosovës. Këtë unë do ta quaj një amatorizëm i atyre që e kanë bërë këtë ligji”, ka theksuar Kadri Kastrati, Ish-komandant i FSK-së.
Kastrati kërkon urgjentisht kthimin e pagës paraprake, pasi siç thotë në vende si SHBA dhe të tjera, është e pamundur edhe mbijetesa në këto kushte.
“Qeveria del me një shpjegim që këtyre ushtarakëve do t’iu kthehet paga që e kanë pasur edhe do t’iu kompensohet muajt që kanë marrë pagë me pak. Paramendojeni që një atashe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që vlera e një shije me ujë kushton 6 dollarë, ai ta merre një rrogë prej 588 eurosh është e papranueshme”, ka sqaruar Kadri Kastrati, Ish-komandant i FSK-së.
Madje, njohësi i çështjeve të sigurisë Drizan Shala vlerëson se pagat për atashetë ushtarakë nuk mund të rregullohen as me një rregullore apo udhëzim administrativ siç është përmendur sepse, sipas tij, do t’i humbte kredibiliteti Ligjit për Paga.
“Atëherë çdo mekanizëm tjetër, qoftë mjekët, apo infermierët, mund të kërkojnë që te kemi një ndryshmi nëpërmjet një Udhëzimi Administrativ apo një rregullore të re, por kjo bie në diskrepancë me elementin bazë të ligjit të pagave. Mendoj që duhet të rishikohet komplet ligji i pagave edhe duhet të rikthehen dhe shtesat, qoftë për pjesëtarët e FSK apo të Policisë së Kosovës qysh janë shtesat e rrezikshmërisë, por njëkohësisht edhepër misionet diplomatike apo atashetë”, ka thënë Drizan Shala, Njohës i çështjeve të sigurisë.
Nga mbi 60 ambasada dhe konsullata sa ka Republika e Kosovës në botë, në vetëm shtatë prej tyre ka atashe ushtarakë.