Gjykata Kushtetuese i ka konsideruar të pranueshme kërkesat e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në lidhje me Ligjin për Zyrtarët Publikë.
Në njoftimin e Kushtetueses thuhet se Gjykata ka vendosur që të deklarojë kërkesat e pranueshme me shtatë vota për dhe një kundër, të konstatojë që procedura e ndjekur për miratimin e Ligjit të kontestuar nuk është në kundërshtim me nenet 77 [Komisionet] dhe 78 [Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
“Gjykata (i) njëzëri ka vendosur që të deklarojë kërkesat e pranueshme; dhe (ii) me shtatë (7) vota për dhe një (1) kundër, të konstatojë që procedura e ndjekur për miratimin e Ligjit të kontestuar nuk është në kundërshtim me nenet 77 [Komisionet] dhe 78 [Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, në lidhje me përmbajtjen e Ligjit të kontestuar, Gjykata ka theksuar se disa nene duhet të ndryshohen.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që Ligji për Zyrtarët Publikë t’i dërgohet Presidentes së Kosovës për shpallje, pa dispozitat e konstatuara në kundërshtim me Kushtetutën dhe sipas specifikave të përcaktuara në Aktgjykimin e Gjykatës.
Ndërsa, në lidhje me përmbajtjen e Ligjit të kontestuar, Gjykata, njëzëri ka vendosur që (i) kriteri i “përshtatshmërisë’ i përcaktuar në paragrafët 2 dhe 5 të nenit 9 (Kriteret e përgjithshme për pranimin në detyrë të zyrtares/it publik) të Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 3 [Barazia para Ligjit] dhe paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës; (ii) formulimi “si dhe mbikëqyrë implementimin e tyre” i pikës 1.1 të paragrafit 1 dhe paragrafi 2 i nenit 12 (Qeveria e Republikës së Kosovës) dhe nën-paragrafët 1.1, 1.2, 1.5 dhe 1.9 të paragrafit 1 dhe paragrafët 3, 4 dhe 5 të nenit 13 (Ministria përgjegjëse për administratë publike) të Ligjit të kontestuar nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushteteve] dhe paragrafin 2 të nenit 101 [Shërbimi Civil] të Kushtetutës; (iii) formulimi “në rastet e parapara sipas këtij ligji” i paragrafit 3 të nenit 27 (E drejta për informim për marrëdhënien e punës dhe e drejta e ankesës) të Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me nenet 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 54 [Mbrojta Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës; (iv) paragrafi 6 i nenit 27 (E drejta për informim për marrëdhënien e punës dhe e drejta e ankesës) dhe paragrafët 3 dhe 4 të nenit 88 (E drejta për ankesë e nëpunëses/it të shërbimit publik) të Ligjit të kontestuar nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushteteve], nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe nenin 54 [Mbrojta Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës; (v) paragrafi 6 i nenit 67 (Lista e pritjes) të Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 3 [Barazia para Ligjit] dhe paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës; (vi) paragrafët 1, 2, 3, 4, 5, 6 dhe 7 të nenit 99 (Dispozitat kalimtare) të Ligjit të kontestuar nuk janë në përputhshmëri me paragrafët 1 dhe 2 të nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 1 (Mbrojtja e Pronës) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dhe (vii) paragrafi 2 i nenit 104 (Shfuqizimi) të Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 3 [Barazia para Ligjit], paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushteteve] dhe paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës; ndërsa (viii) me shtatë (7) vota për dhe një (1) kundër që neni 46 (Emërimi dhe mandati në pozitat e nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues) i Ligjit të kontestuar nuk është në kundërshtim me paragrafin 2 të nenit 19 [Zbatimi i së Drejtës Ndërkombëtare] dhe nenin 101 [Shërbimi Civil] të Kushtetutës
Bazuar në konstatimet e mësipërme, Gjykata gjithashtu vendosi të konstatojë që Ligji i kontestuar ti dërgohet Presidentes së Republikës së Kosovës për shpallje, pa dispozitat e konstatuara në kundërshtim me Kushtetutën dhe sipas specifikave të përcaktuara në Aktgjykimin e Gjykatës “në pajtim me paragrafin 1 të nenit 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës, të urdhërojë Kuvendin e Republikës së Kosovës që brenda gjashtë (6) muajve nga hyrja në fuqi e Aktgjykimit, të ndërmarr veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e: (a) paragrafit 6 të nenit 67 (Lista e pritjes); (b) paragrafit 6 të nenit 27 (E drejta për informim për marrëdhënien e punës dhe e drejta e ankesës) dhe paragrafëve 3 dhe 4 të nenit 88 (E drejta për ankesë e nëpunëses/it të shërbimit publik) dhe nenit 6 (Nëpunësja/i civil me status të veçantë) të Ligjit të kontestuar, në pajtim me Kushtetutën dhe këtë Aktgjykim; dhe (iii) të përcaktojë që Aktgjykimi hyn në fuqi me publikimin e tij në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës”.
Në njoftimin për media, Gjykata ka bërë të ditur se është urdhëruar Kuvendi i Republikës së Kosovës që brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e Aktgjykimit, të ndërmarrë veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e këtij ligji.
Tutje thuhet se “Aktgjykimi, më tej, sqaron që kompetenca mbikëqyrëse e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, e përcaktuar me Kushtetutë, nuk mund të cenohet dhe as përvetësohet nga pushteti ekzekutiv përmes akteve me hierarki më të ulët të normave, përkatësisht ligjit; për më tepër që kompetencat mbikëqyrëse të Qeverisë, të saktësuara përmes nenit 12 dhe 13 të Ligjit të kontestuar, janë qartësisht edhe kompetenca të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës bazuar në Ligjin Nr.06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës, dhe të cilat cenohen edhe përmes paragrafit 2 të nenit 104 të Ligjit të kontestuar, sipas të cilit çdo dispozitë në kundërshtim me Ligjin e kontestuar shfuqizohet me hyrjen në fuqi të tij. Aktgjykimi sqaron që leximi i përbashkët i neneve 12, 13 dhe 104 të Ligjit të kontestuar, përmes të cilave Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës esencialisht zhvishet nga funksionet kushtetuese, e të cilat përvetësohen nga Qeveria, rezulton në kundërshtim me nenet 4 dhe 101 të Kushtetutës. Aktgjykimi sqaron që raporti i tillë në mes të të drejtave dhe detyrimeve nuk është proporcional, dhe për më tepër, në kundërshtim me kriteret e “qartësisë” dhe “parashikueshmërisë” lidhur me ligjin e aplikueshëm, të ngërthyera në parimin e sigurisë juridike, sipas interpretimit të praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, të Gjykatës dhe opinioneve relevante të Komisionit të Venecias”.