Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, në një lidhje telefonike në “Radio Dukagjini” në emisionin “Magazina”, ka thënë se nuk ka menduar se në ditët e sotme do të ketë pjestarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët do të ballafaqohen me procese gjyqësore.
“Unë kam qenë i bindur edhe kur kam shkuar, ju kam thënë jam këshilltari i fundit që futem këtu edhe që dal. Nuk kam besuar që edhe pas meje, do të ndodhin ato që të ballafaqohet edhe sot me ato procese”, ka thënë Limaj.
I pyetur sesi e kujton procesin e tij gjyqësor, ai ka thënë se e cilëson vetën si personin më të ndjekur nga Gjykatat në Republikën e Kosovës.
“Po jam personi më i ndjekur, edhe për të ndjekur, edhe për pastërtinë, të cilën e kam fituar”, u shpreh ai.
Megjithatë, Limaj në këtë pikë ka thënë se ka dëshirë që edhe personat e Vetting-ut të kalojnë në proceset, të cilat, ai ka kaluar, pasi sipas tij, kështu shihet se çfarë është pastërtia.
“Prandaj do të kisha qejf që edhe këta të Vetting-ut të futen nga kam kaluar unë, me e pa çka është pastërtia. Nuk bëhet nëpër deklarata e opinione. Pastërtia është atje kur të futesh në atë proces”, ka theksuar Limaj.
Tutje, ai ka thënë se krahas viteve të kaluara na Gjykatën e Hagës, ka edhe 14 vjet të tjera në procese të tjera gjyqësore.
“Shikoni, 17 vjet jam duke folur vetëm për Gjykatën e Hagës, se në fakt unë kam kaluar dikun 14 vjet mbi 14 vjet në proceset e tjera gjyqësore, përveç të Hagës. Edhe në Hagë kam qëndruar jo një, po tri vjet gati tri vjet, nga 21 shkurti 2003 deri më 30 nëntor 2005, në procesin gjyqësor në Hagë. Pastaj shkalla e dytë është përfunduar në 2007, kemi një proces diku 4 vjet e më shumë”, ka bërë të ditur kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj.
Limaj: Drejtuesit e ushtarët e UÇK-së kanë dalë para drejtësisë dhe gjykatë, vetëm që ushtria dhe liria e Kosovës të mos njolloset
Limaj u shpreh krenar për faktin se është shqiptar, gjersa ka theksuar se vetëm ish-drejtuesit dhe ish-ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk i kanë ikur drejtësisë dhe gjykatës.
“Ne kemi pasur fatin si shqiptar, një vend i vogël, kemi dëshmuar pjesën e lirisë sonë, jemi shkuar e jemi përgjigjur si asnjë vend tjetër, këtu si ish-Jugosllavi, përveç s’mundesh të gjesh në asnjë vend, veç në Kosovë gjen krerë të UÇK-së, ushtarë të UÇK-së, drejtuesit e UÇK-së janë të vetmit që kurrë nuk i kanë ikur drejtësisë dhe gjykatës. Ka vende të tjera që i kanë ikur”, ka thënë Limaj.
Sipas Limajt, ushtarët e UÇK-së kanë pranuar të dalin para drejtësisë dhe gjykatës vetëm që Ushtria dhe Liria e Kosovës të mos ketë asnjë njollë.
“Të vetmit janë ushtarët e UÇK-së, që asnjëherë nuk i kanë ikur drejtësisë, pavarësisht bindjes tonë që është e padrejtë, pavarësisht tendencës për të balancuar atë që ka ndodhur, ne ju kemi përgjigjur për faktin se kemi dashur që UÇK-ja dhe liria e Kosovës të mos ketë asnjë njollë në atë që ka ndodhur gjatë procesit të lirisë së Kosovës”, u shpreh ai.
Limaj për ish-krerët në Hagë: Nuk janë në betejë personale, janë në betejë për Kosovën
Limaj ka folur edhe për ish-krerët e UÇK-së, të cilët, po mbahen në Hagë, ku ka thënë se ata janë në betejë për Kosovën, dhe jo në një betejë personale.
Gjersa ka theksuar se pjesëmarrja e ish-krerëve në Hagë, tash po e dëshmon tentimin për përmbysje të historisë së lavdishme të kombit tonë.
“Së pari, atje shqiptarët, qytetarët e Kosovës, ata që i kanë simpatizuar e ata që nuk i kanë simpatizuar, ata që kanë pasur vërejtje e ata që i kanë dashur janë të mirëseardhur. Ata burra që janë në Hagë duhet ta kuptojnë një gjë, atje nuk kanë punë personale edhe më e parëndësishmja është fati i tyre mbi ta. Në një vend normal, në një shoqëri normale, në një shtet që ne po kemi qejf të jetë, duhet të gjithë ta kuptojmë atje është një betejë tjetër. Beteja është për historinë e Kosovës. Atje po tentohet përmbysja e historisë së lavdishme të kombit tonë, jo neve që sot jetojmë, e ata që e kanë bërë, por për gjeneratat që vijnë edhe pas 100 viteve. Kështu që, ajo betejë në Hagë nuk është betejë personale as e Hashim Thaçit, as e Jakup Krasniqit, është betejë që përmes tyre, është betejë për Kosovën”, ka thënë Limaj.
Limaj, ndër të tjera, ka kritikuar qeverinë aktuale, pasi sipas tij, ajo nuk po përpiqet të zbulojë të vërtetat, por po e përmbys të vërtetën.
“Qeveria dhe shteti i Kosovës s’ka nevojë të merret me ta personalisht, por e ka obligim të lobojë për të vërtetën, të mos lejojë të hedhet e vërteta. Kjo qeveri, jo veç që s’po e bën, por po përpiqet të përmbysë edhe të vërtetën pas luftës në Kosovë”, ka thënë Limaj.
Limaj: Më shumë i duan të vdekurit sesa të gjallët
Limaj ka folur edhe për Kuvendin e përbashkët të mbajtur për nder të 28 Nëntorit në Shqipëri, mes Kuvendit të Kosovës dhe Shqipërisë, ku u shpreh se kryeministri i vendit nuk ishte në gjendje të flasë për çliruesit e Kosovës, por ka folur për Ismail Qemalin.
“Nuk ke në gjendje një fjalë ta thotë për çliruesit e Kosovës dhe arkitektët e shtetit, dhe ata folnin për Ismail Qemalin”, ka thënë Limaj.
Sipas tij, të flasësh për këta persona është hipokrizi, dhe ka theksuar se udhëheqësit e Kosovës, më shumë i duan të vdekurit sesa të gjallët.
“Është hipokrizi të flasësh për Ismail Qemalin e ata sepse ata kanë vdekur tash, kjo tregon se më shumë i duan të vdekurit sesa të gjallët”, u shpreh Limaj.
Në këtë bisedë telefonike, Limaj u ka bërë apel të rinjve ta nderojnë lirinë dhe atë që kemi sot.
“Apeli jem është nderone lirinë e juaj, atë që e kemi sot dhe atë që neve na mban për jetë”, ka përfunduar Limaj.