Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i ka kërkuar kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, që të jap dorëheqje pasi sipas tij ai ka humbur legjitimitetin.
Ky reagim vjen pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të shtunën janë dakorduar për normalizimin e raporteve në Ohër.
“Ke humbur legjitimitetin, jep dorëheqje Albin! Saktësisht katër ditë pa mbushur dy vite prej kur mori drejtimin e qeverisë, Albin Kurti do të mbahet mend dhe përgjegjës për dyfishimin e barrës së obligimeve të shtetit të Kosovës”, shkroi Limaj.
“Kryeministri ka shkelë Kushtetutën e vendit dhe duhet të dorëhiqet menjëherë”, ka shkruar tutje Limaj.
Sipas tij, ujdia e arritur është rezultat i politikave mashtruese e populiste dy vjeçare.
“Për më tepër, kjo marrëveshje është edhe ndëshkim për qasjen e tij për këtë proces. Nga marrëveshja për njohje reciproke, Kosova përfundoi në marrëveshje pa njohje dhe me “Zajednicë”, brenda”.
Ndryshe, Bashkimi Evropian e ka quajtur si shumë të suksesshëm takimin e 18 marsit në Ohër mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut të nivelit të lartë mes dy vendeve.
Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borell, ka thënë më 18 mars se edhe pse palët kanë vendosur të mos e nënshkruajnë zyrtarisht marrëveshjen, ato janë pajtuar që të fillojnë zbatimin e saj sa më shpejt që të jetë e mundur.
Marrëveshja me 11 nene, e bërë publike më 27 shkurt, nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.
Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.