Kryetari i partisë Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, e ka vlerësuar negativisht planin e propozuar nga Bashkimi Evropian, për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.
Ai në “Debat Plus”, ka thënë se ky propozim nuk i ofron asgjë Kosovës dhe se sipas tij nuk i merr asgjë Serbisë.
Ai është shprehur se nëse pranohet një plan i tillë do të krijonte më shumë efekte negative se pozitive.
Limaj e kritikoi edhe opozitën për mënyrën se si po i qasen temës së Asociacionit.
“E kuptoj Albin Kurtin apo këtë Qeveri, për atë e kam problemin me këtë opozitë shumë lehtë e kapërcejnë. Së pari plani evropian, Kosovës nuk i ofron asgjë, Serbisë nuk i merr asgjë, e shtyn krizën për 10-20 vjet dhe nuk garantohet se çfarë do të ndodhë. Është rrezik i madh për vendin. Jam për me shku me dialogu, por në këtë situatë, nëse merret për të mirëqenë është pozicion i rëndë për Kosovën”, ka thënë ai.
Për gjithë këtë situatë të krijuar në raport me Serbinë, Limaj e ka fajësuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Limaj ka thënë se Qeveria ka bërë veprime popullsite e që sipas tij tash po i kushtojnë Kosovës.
“Duhet me pa se si erdhëm deri këtu në këto dy vitet e fundit. Jemi mundu me i tregu qeverisë që të mos i ndalë referendumet, mos i ndal zgjedhjet, kanë qenë popullsitë, lëre çështjen e targave. Për çfarë duhet të shkosh të bësh aksione për targa nëse e ke marrëveshjen e gjithpërfshirshme”, ka thënë ai.
Limaj ka thënë se ai dhe partia e tij, janë kategorikisht kundër themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Kujtojmë se në zgjedhjet e fundit të vitit 2021, partia e Limajt nuk arriti ta marrë asnjë pozitë të deputetit në Kuvendin e Kosovës.