Komuna e Lipjanit mund t’i humbasë shumë projekte, nëse vendosen të falen 100 euro nga Tatimi në Pronë.
Ndonëse nuk shprehet kundër faljes së këtyre mjeteve, kryetari i kësaj komune, Imri Ahmeti, ka theksuar se telashet do të jenë të mëdha.
Kreu i kësaj komune ka thënë se ekzekutivi ka dashur t’ua hedhë “topin” komunave me këtë vendim. Ai tregon se mjetet tashmë janë dedikuar për projekte kapitale.
Ahmeti deklaroi se Qeveria nuk është dashur që ta rrisë normën në pronë, nëse ka pasur për qëllim mirëqenien e qytetarëve.
“Në fakt, askush nuk jemi për mos me i fal, do të ishte dhe do të ndiheshim mirë t’i falim, por proceduralisht është e pamundur me i zbatu, ligji ka defektet e veta, unë mendoj që më mirë është dasht Qeveria të mos e rris normën e tatimit në pronë sesa njëherë ta rrisë normën e pastaj ta gjuan topin të komunat hajde urdhëroni falnja”, thotë Ahmeti.
Ahmeti thotë se të hyrat që vijnë nga tatimi në pronë, janë dedikuar për investime kapitale. Disa projekte, Ahmeti thotë se janë në zhvillim e sipër e disa për vitin e ardhshëm.
“Ne e kemi dërguar në Gjykatë Kushtetuese si Asociacion i Komunave të Kosovës dhe presim vendimmarrjen në Gjykatë Kushtetuese, në rast se natyrisht ligji i jepet plotshmëria nga kushtetuesja, do ta rishikojmë këtë mundësi edhe pse jam shumë i bindur që do të na shkaktojë telashe të jashtëzakonshme”, ka shtuar Ahmeti për EO.
Kreu i Lipjanit ka hedhur edhe akuza në drejtim të Qeverisë, për të cilën thotë se e ka rritur normën e Tatimit në Pronë pa asnjë konsultim me komunat.
Thotë se ekzekutivi nuk e ka hallin te qytetari.
“Nëse kaq shumë paska interesin e qytetarëve për me i fal 100 euro, atëherë le t’i fal qeveria pse e qet te komunat, le t’i subvencionon këto mjete buxhetore dhe le t’i falë, por e para punës ka mujt mos me i rrit fare, pa asnjë lloj konsultimi me asnjë komunë është rrit norma e tatimit në pronë, besoj e dimë të gjithë dhe pasi e ka pa defektin e rritjes ka ardhë në një momentum që dëshiron t’ia gjuajë komunave topin që le t’i falin komunat. Në fakt komunat mund të mos i obligojnë nga vitet e ardhshme po jo t’i falin sepse ligji nuk e lejon këtë situatë, prandaj ne kemi kontestimet tona dhe presim nga gjykata kushtetuese me marrë vendim”, u shpreh ai.