Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pas lirimit me dorëzani të Dejan Pantiq i cili dyshohet për sulme terroriste në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), duke thënë se policia arreston terroristët dhe këta me paranë e krimit e blejnë lirinë me dorëzani.
“Sot pamë që terroristi Dejan Pantiq, i cili ka cënuar rendin kushtetues të Republikës së Kosovës e ka sulmuar Policinë dhe objektet e KKZ-së vitin e kaluar, iu paska lehtësuar masa nga Gjykata. Nga arresti shtëpiak, në lirim me dorëzani. As masa e parë dhe aq më pak kjo e dyta nuk kanë të bëjnë me drejtësinë”, ka thënë Sveçla.
Sveçla ka thënë se një pjesë e konsiderueshme e kriminelëve janë lënë të lirë në këtë formë.
Ministri Sveçla ka thënë tutje se të njëjtit arrestohen për veprat ndër më të rëndat që parasheh Kodi ynë Penal, dhe se këto lloj masash nuk i shërbejnë “aspak përpjekjeve tona për rend dhe ligj në veriun tonë dhe as drejtësisë”.
“Përkundrazi, ato lehtësisht mund të jenë stimulim për vazhdim të avazit të vjetër. Askush nuk mund të jetë kaq neglizhent dhe moskokëqarës ndaj punës së paepur, të përditshme, të palodhshme e me shumë sakrifica të organeve tona të sigurisë si Policia e Kosovës dhe Agjencia e Inteligjencës”, ka shtuar Sveçla.
Ministri i Punëve të Brendshme është shprehur se puna e madhe që po bëhet në luftimin e krimit në Mitrovicë, dhe jo vetëm, nuk mundet me kaq lehtësi të sabotohet.
Dejan Pantiq, i cili dyshohet për sulme terroriste në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), është liruar nga arresti shtëpiak.
Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi, e cila ka thënë se gjykata nuk ka pranuar kërkesë për vazhdimin e arrestit shtëpiak nga ana e PSRK-së.
Lexo dhe: Dejan Pantiq lirohet nga arresti shtëpiak
Ajo bëri të ditur se Gjykata ka pranuar kërkesën për zëvendësimin e masës së arrestit shtëpiak me masën e dorëzanisë prej 30 mijë eurosh.
“Mirëpo, me datën 04.09.2023 nga mbrojtësi i të pandehurit D.P av.Ljubomir Pantovic, gjykata ka pranuar kërkesën për zëvendësimin e masës së arrestit shtëpiak me masën e dorëzanisë, ashtu që me datën 05.09.2023 gjykata nga Prokurori i Shtetit nga PSRK ka pranuar parashtresën-pëlqimin me të cilën ka propozuar që masa e arrestit shtëpiak kundër të pandehurit D.P të zëvendësohet me masën e dorëzanisë sipas nenit 177 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 dhe 1.2 të KPP-së, pas deponimit të shumës prej 30.000.00 Euro”, ka thënë Gashi.