Bordi i Drejtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), ka vendosur të lirojë nga detyra ushtruesin e detyrës së kryeshefit ekzekutiv, Bekir Gërguri, dhe ushtruesin e detyrës së zëvendëskryeshefit ekzekutiv, Ramadan Budakova.
Ky vendim u mor gjatë mbledhjes së së enjtes dhe u bë i ditur të premten përmes një njoftimi për media. Sipas bordit, shkarkimet janë bërë në përputhje me përgjegjësitë dhe kompetencat që dalin nga Ligji për Ndërmarrjet Publike dhe parimet ndërkombëtare të qeverisjes korporative.
Po ashtu, Bordi i Drejtorëve ka udhëzuar menaxhmentin që të hapë konkursin për pozitën e kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut të hënën, më 3 mars.
Deri në zgjedhjen e një drejtuesi të ri, detyrën e kryeshefit ekzekutiv do ta ushtrojë Gramos Hashani, ndërsa Gëzim Paci do të jetë përkohësisht zëvendëskryeshef ekzekutiv.
Në njoftim, bordi ka falënderuar Gërgurin dhe Budakovën për kontributin e tyre, veçanërisht për menaxhimin e situatës pas sulmit në Kanalin e Ibër Lepencit, dhe u ka uruar suksese në angazhimet e tyre të ardhshme brenda KEK-ut.
KEK-u vazhdon të udhëhiqet nga ushtrues detyre që nga prilli i vitit 2023, kur ish-kryeshefi Nagip Krasniqi u arrestua.