Mbrojtje në liri.
Kjo është masa që ua ka caktuar Gjykata Supreme tri infermiereve të cilat dyshohet se u përfshinë në sulmin dhe keqtrajtimin e një gruaje në shtëpinë e të moshuarve “Orenda” në Pejë.
Në aktgjykimin e Supremes vlerësohet se dy shkallët më të ulëta të drejtësisë, nuk vendosën drejt kur i dërguan në paraburgim infermieret Aurona Pelaj, Altina Rexhepi e Remzie Kuqi.
“Kjo gjykatë vlerësoj se aktvendimet e kundërshtuara duhen ndryshuar dhe e pandehura duhet liruar nga masa e paraburgimit, për arsye se këto aktvendime janë të paqëndrueshme, për çka me të drejtë tërheq vërejtjen mbrojtësi në kërkesën e tij”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Supreme.
Tutje, në aktgjykimin e saj, Supremja rendit disa arsye të marrjes së këtij vendimi.
“Siç rezulton nga shkresat e lëndës nuk ka arsye për të besuar se të pandehurat do të asgjësojnë, fshehin apo ndryshojnë provat e veprës penale, nuk qëndron fakti se të pandehura do të mund të ndikojnë tek e dëmtuara apo dëshmitarët, sepse provat gjegjësisht deklaratat e tyre ekzistojnë në shkresat e lëndës”, thuhet tutje në aktgjykimin e Gjykatës Supreme.
Lirimi nga paraburgimi i të dyshuarave u bë pas kërkesës së avokatit Blerim Ademaj.
“Gjykata e shkallës së parë fare nuk i ka arsyetuar fare nuk i ka arsyetuar pretendimet të cilat i ka mbështetur në arsyet e caktimit të paraburgimit, pasi siç dihet paraburgimi është masa për sigurimin e të pandehurit në procedurën penale është si masë më e rëndë e cila u caktohet vet të dyshuarve”, ka thënë avokati Blerim Ademaj.
Infermieret Pelaj, Rexhepi e Kuqi, gjatë ditës janë marrë përsëri në pyetje nga Prokuroria Themelore e Pejës.
Megjithatë, ato kanë vendosur që të mos e thonë asnjë fjalë para prokurorisë, duke vendosur që të mbrohen në heshtje.