Tre policët e Kosovës, Rifat Zeka, Beqir Sefi dhe Shem Mustafa, janë liruar këtë të hënë, pasi ishin kidnapuar më 14 qershor brenda territorit të Kosovës nga forcat serbe.
Rifat Zeka, Beqir Sefi dhe Shem Mustafa ishin kidnapuar nga forcat serbe më 14 qershor brenda territorit të Kosovës.
Lajmin e kanë konfirmuar për RTV Dukagjinin burime brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).
Siç ka bërë të ditur MPJD-ja, ambasadori Jetish Jashari dhe stafi i Zyrës Ndërlidhëse në Beograd, të cilët kanë qenë të angazhuar intensivisht në këtë proces, tashmë janë duke finalizuar procedurat formale për të mundësuar kthimin e tyre në Kosovë tek familjet e tyre.
Sipas avokatëve mbrojtës, në këtë seancë, Gjykata e Lartë e Kralevës ka konfirmuar Aktakuzën e Prokurorisë së Lartë të Kralevës ndaj tre oficerëve policorë, ku ngarkoheshin për kryerjen e veprës penale “prodhim, mbajtje dhe qarkullim ilegal i armatimit dhe mjeteve shpërthyese,” sipas nenit 348, paragrafi 4, të lidhur me paragrafin 2 dhe 1 të Kodi Penal të Serbisë.
“Prokurori nuk ka kërkuar që oficerëve policorë t’u vazhdohet paraburgimi, që Gjykata e ka pranuar, ku si rrjedhojë, u është lejuar të mbrohen në liri, respektivisht të kthehen në Kosovë”, thuhet nga MPJD-ja.
Këtë të hënë në orën 09:30 kishte nisur seanca gjyqësore për tre policët e rrëmbyer në gjykatën e Kralevës në Serbi.
Sekretari i zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli, për RTV Dukagjinin e ka konfirmuar lajmin, duke shprehur shqetësimin e tij për kohën që ka kaluar dhe sjelljen e palogjikshme të Serbisë për mbajtjen e tyre atje.
Rifat Zeka, Beqir Sefi dhe Mustafë Shemi janë kidnapuar më 14 qershor brenda territorit të Kosovës.
Haxholli ka theksuar se çdo moment i humbur deri në kthimin e tyre në Kosovë dhe në krye të detyrave është i rëndësishëm, pasi ai beson se mund të ketë një tentativë për të fshehur një veprim të çuditshëm përmes një procesi të drejtësisë me standarde mesjetare.
“Rrugës drejt Kralevēs, ku para një gjyqi pritet të dalin përsëri tre policët Rifat Zeka, Beqir Sefi dhe Mustafë Shemi. Çdo sekondë i humbur deri në kthimin e tyre në Republikën e Kosovës, në krye të detyrave, konstituon një impuls dhe sjellje jo racionale, me qëllim kamuflimin e një akti bizar përmes një drejtësie me kut e standard mesjetar. Lirimi i menjëhershëm i tyre është Sine Non Qua [e domosdoshme]!”, ka deklaruar Haxholli.
Policët ishin patrullues kufitarë dhe kryenin detyrën e tyre në një pikë statike në territorin e Kosovës, për të parandaluar kalimin e grupeve kriminale dhe kontrabandën, duke përfshirë dyshime për armatim në atë zonë.
Lexo edhe: Policia e Kosovës publikon hartën e pozicionimit të policëve që u rrëmbyen nga Serbia
Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar i kanë bërë thirrje vazhdimisht Serbisë që t’i lirojë pa kushte policët.