Një prej kundërshtarëve të paktë politikë të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, opozitari Nikolla Sanduloviq, në gjendje të rënduar shëndetësore është liruar nga paraburgimi gjatë së hënës.
Vajza e tij, Klara Sanduloviq, ka folur për Dukagjinin, duke treguar se mbetet i palëvizshëm në anën e djathtë e me dhimbje në stomak e në brinjë të thyer.
“Gjendja shëndetësore e babit tim aktualisht është shumë e keqe. Ai dje është kthyer në shtëpi dhe ende është i palëvizshëm në anën e djathtë të trupit. Ende ka dhimbje në bark dhe i dhemb brinja e thyer. Është shumë i plogësht dhe i dobët dhe thjesht do të nevojitet shumë kohë që të rikuperohet, me terapi të shumta dhe shumë kujdes. Vetë personeli i burgut qendror dhe rojat e burgut, personeli mjekësor i burgut qendror, ata vetë kanë qenë të frikësuar se mos i ndodh diçka, dhe për shkak të gjitha kërcënimeve që i drejtohen dhe gjithë asaj që ka kaluar, pra janë frikësuar që ta çojnë në Nish, por prapëseprapë e mbanin atje në përgjegjësi të tyre dhe në bazë të atyre që unë kam arritur të marr vesh nga ai, ata ia kanë ofruar shërbimet më të mira të mundshme dhe kujdesin më të mirë që ata kanë pasur mundësi që ta ofrojnë”, tha Klara Sanduloviq, vajza e Nikola Sanduloviq.
Torturat ndaj tij erdhën pasi Sanduloviq rikujtoi në rrjete sociale vizitën e tij që kishte pasur në Prekaz, ku kishte bërë homazhe te varrezat e familjes Jashari.
Por ajo që i ndodhi Sanduloviqit duket se edhe më shumë e ka nxitur avokatin e tij, që ka paralajmëruar një veprim të ngjashëm.
“Do të jem të enjten në Prekaz në ora 15:00. Do të bëj homazhe dhe do vendos lule tek memoriali i Familjes Jashari. Nuk mund të lejojmë një nacionalizëm të tillë nga partia në pushtet në Serbi. Nuk mund të na frikësojnë në këtë formë. Ne duhet të guxojmë t’i bëjmë gjërat në formën e duhur dhe do të tregojmë se nuk frikësohemi. Ne do të jemi gjithmonë në anën e konstruktivitetit, në anën e paqes, dhe në drejtim të asaj që do të pranojmë të gjitha krimet që kanë ngjarë në kohën e Millosheviqit. Dua të dërgoj një mesazh të qartë se ne njerëzit normalë, do të vazhdojmë të bëjmë gjëra normale, pavarësisht kundërshtimit të Vulinit dhe të tjerëve në Beograd që duan të na frikësojnë dhe të e ndalojnë një proces normal”, tha Cedomir Stojkovic- avokat i Sanduloviq.
Klara Sanduloviq, vajza e politikanit serb, në emër të tij ka falënderuar të gjithë ata që ngritën zërin për rastin dhe kërkuan lirimin nga paraburgimi, përfshirë këtu presidenten Osmani e kryeministrin Kurti, por edhe deputetët britanikë, Komisionin Evropian e Këshillin e BE-së.
Ajo, gjithashtu, ka përmendur se gjatë kohës sa babai i saj ka qenë duke u torturuar, është ballafaquar me kërcënime për vrasjen e familjes, duke shtuar se jetesa e tyre në Serbi është bërë e pasigurt dhe e ka krahasuar me një sistem diktatorial.
Në rastin kontradiktor të Sanduloviqit, që nxiti reagime të ashpra nga komuniteti ndërkombëtar, gjyqtari Milicia Grujic, në seancën për caktimin e masës së sigurisë, vetë kishte përmendur se po urdhëronte 1 muaj paraburgim pasi Sanduloviq kishte vendosur lule në varrin e një vajze shqiptare.
Aleksandar Vulin, ish-shefi i sanksionuar i inteligjencës serbe, pretendoi se kishte dhënë urdhër për arrestimin e tij para se të jepte dorëheqje, por kjo gjerësisht u konsiderua si një lëvizje për të shfajësuar rolin e presidentit serb Aleksandër Vuçiq në këtë rast.