Lirohet themeluesi i “WikiLeaks” pas pranimit të fajësisë për shkeljen e ligjit amerikan për spiunazh

FOTO:NBC NEWS

Themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange, është liruar nga një gjykatë amerikane të mërkurën në ishullin amerikan të Paqësorit, Saipan, pasi u deklarua i fajshëm për shkeljen e ligjit amerikan për spiunazh në një marrëveshje që ia mundësoi atij të kthehet menjëherë si njeri i lirë në vendlindje, Australi.

Lirimi i tij i jep fund një sage ligjore 14-vjeçare, gjatë të cilës ai i kaloi më shumë se pesë vjet në një burg të sigurisë së lartë në Britani të Madhe dhe shtatë vjet të tjera në Ambasadën e Ekuadorit në Londër, ku e luftoi ekstradimin në Shtetet e Bashkuara, pasi përballej me 18 akuza penale.

Gjatë një seance që zgjati tri orë të mërkurën, Assange u deklarua i fajshëm për një akuzë penale, konspiracion për të siguruar dhe publikuar dokumente të klasifikuara të mbrojtjes kombëtare amerikane.

Por, ai tha se kishte besuar se veprimtaria e tij po mbrohej nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës amerikane, i cili mbron lirinë e shprehjes.

“Duke punuar si gazetar, unë e nxita burimin tim të më japë informata për të cilat thuhej se ishin të klasifikuara, në mënyrë që t’i publikoja”, tha Assange në gjykatë.

“Besoja se Amendamenti i Parë e mbronte këtë veprimtari, por e pranoj se ishte… shkelje e statutit të spiunazhit”, shtoi ai.

Gjykatësja Ramona V. Manglona e liroi Assangen pasi ai e pranoi fajësinë, në bazë të marrëveshjes me prokurorët amerikanë, dhe pasi ai i kreu tashmë pesë vjet burgim në burgun e Londrës.

“Ne besojmë fuqishëm se Assange nuk është dashur të akuzohej kurrë në bazë të Aktit të Spiunazhit”, tha avokati i tij amerikan, Barry Pollack, pas seancës.

Ai theksoi se puna e WikiLeaks do të vazhdojë.

Avokatja e tij britanike, Jennifer Robinson, e falënderoi Qeverinë e Australisë për diplomacinë e saj shumëvjeçare për ta siguruar lirimin e Assange.

“WikiLeaks” më 2010 pati publikuar qindra mijëra dokumente sekrete të ushtrisë amerikane mbi luftërat në Afganistan e Irak. Kjo ishte rrjedhja më e madhe e dokumenteve e këtij lloji në historinë e ushtrisë amerikane.

Sipas prokurorisë, 52-vjeçari kishte nxitur e ndihmuar ish-analisten e zbulimit në ushtrinë amerikane, Chelsea Manning, të vidhte kabllogramet diplomatike dhe dosjet ushtarake që i publikoi “WikiLeaks”, duke vënë në rrezik jetët e njerëzve.

Problemet ligjore të Julian Assangit filluan në vitin 2010, kur u arrestua në Londër me kërkesë të Suedisë, e cila donte ta merrte në pyetje në lidhje me akuzat për përdhunim dhe sulm seksual të bëra nga dy gra. Në vitin 2012, ai shkeli rregullat e lirimit me kusht duke mos u paraqitur në gjykatë, e cila kishte vendosur të lejonte ekstradimin e tij në Suedi, dhe kërkoi strehë brenda ambasadës ekuadoriane në Londër, ku autoritetet britanike nuk kishin autoritet të ndërhynin. Ai qëndroi atje për shtatë vjet për të shmangur ekstradimin në Suedi.

Marrëdhënia e tij me ekuadorianët u përkeqësua dhe u dëbua nga ambasada në prill të vitit 2019. Policia britanike e arrestoi menjëherë dhe e burgosi në Belmarsh. Që nga viti 2019, ai ndodhej në burgun e sigurisë së lartë në Britani dhe për thuajse pesë vjet ka luftuar për të kundërshtuar ekstradimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).

Shija e redaktorit

Takimi i shefit të CIA-s dhe atij të AKI-së, në...

Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) ka dhënë detaje për takimin në mes të shefit të CIA-s, William Burns dhe drejtorit të kësaj agjencie,...

Libraria Dukagjini lehtëson blerjen e teksteve shkollore, hap pikën e...

Në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, Libraria Dukagjini është kujdesur që t’ua lehtësoj procesin e blerjes së librave për prindërit dhe...

Prindërit vazhdojnë furnizimin me tekste shkollore, interesim i lartë për...

Çdo shtator, sikurse qëllimin edhe adresën e kanë po të njëjtën. E këtë vit, edhe pakënaqësitë. Së bashku me fëmijët, prindër të shumtë kanë filluar...

Të fundit nga rubrika