Lista Serbe ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili kishte thënë se nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiqit, do t’i vijë momenti kur do të zihet nga Policia e Kosovës dhe i njëjti do të përgjigjet për veprat për të cilat dyshohet.
“Radoiçiq dikur lëvizte i lirë dhe kishte pushtet, tani po humb pushtet dhe i duhet të futet ilegalisht në Kosovë. Radoiçiqi do t’i rrallojë vizitat në Kosovë sepse do t’i vij momenti kur do të zihet nga Policia e Kosovës dhe do të përgjigjet për të gjitha veprat për të cilat dyshohet”, ishte shprehur Sveçla, të mërkurën e 31 gushtit në televizionin publik të Kosovës RTK.
Deklaratën e ministrit Sveçla, Lista Serbe e ka quajtur kërcënim dhe pasyqrim të “dobësisëe pafuqisë që Sveçla ndien në lidhje me respektin dhe mbështetjen që serbët në veri ia japin Radoiçiqit në luftën për të drejtat e popullit serb”.
“Të gjithë e dinë shumë mirë se nënkryetari ynë është vetëm këtu, me njerëzit e tij në Kosovë, në tokën e tij, dhe Sveçla me forcat e tij speciale janë vetëm mysafirë të paftuar dhe të padëshiruar, të cilët janë vetëm trima ndaj qytetarëve të paarmatosur, grave dhe fëmijëve”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.
“Duam t’i kujtojmë z.Sveçla se ai vjen në veri i fshehur në xhipa të blinduar, pas dhjetë kontrolleve e analizave, me ndalim minimal, sepse fjalët e tij janë të mëdha, por veprat dhe zemra e tij janë të vogla dhe sa herë vjen ka frikë nga takimi me Radoiçiqin, që duket qartë se i është bërë obsesion e makth”.
Lista Serbe e ka akuzuar ministrin Sveçla se kinse qëllimi i tij është destabilizimi i situatës.
“Duam t’i themi ministrit Sveçla, se është e qartë për të gjithë serbët, se qëllimi i juaj është nënshtrimi i veriut dhe dëbimi i serbëve, e jo stabilizimi i situatës. Por, duhet ta keni të qartë se serbët nuk do të pajtohen kurrë me këtë, ju nuk do ta dëboni dhe nënshtroni popullin tonë”, vijon reagimi i Listës Serbe.
Marrëveshja e fundit për lëvizjen e lirë në mes të Kosovës dhe Serbisë, nuk ka fare tekst. Kështu ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ishte i ftuar për intervistë në mediumin publik RTK.
Publikimi i tekstit të marrëveshjes është kërkuar vazhdimisht nga opozita dhe shoqëria civile, të cilat e kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës, për jotransparencë. Por, sipas asaj që tha ministri i Punëve të Brendshme, qeveria nuk ka se cfarë t’i ofrojë opozitës dhe shoqërisë civile, sepse marrëveshja me shkrim nuk ekziston.
Po ashtu, Sveçla nuk është treguar i qartë nëse marrëveshja e fundit është e njëjtë me marrëveshjen për lëvizje të lirë e vitit 2011.