Tingujt e këngëve nacionaliste serbe, të premtën kanë “mbytur” qëtësinë në komunat veriore të Kosovës.
Për të gjashtën ditë me radhë, në rrugë qëndruan serbët lokalë të Leposaviçit, Zveçanit e Zubin Potokut.
Hekurat e telat gjëmbues, i ndanin me KFOR-in të cilët po vazhdojnë të monitorojnë gjendjen në oborrret e objekteve komunale.
Shumicën e kohës, përkrah protestuesve në Zveçan kanë qenë edhe zyrtarë të Listës Serbe, derisa kryetari i saj Goran Rakiq, ka përsëritur edhe një herë para mediave, kërkesat e tyre.
Përveç largimi të njësive speciale të Policisë së Kosovës, Rakiç kërkoi edhe lirimin e të arrestuarve, dhe ndërprerjen e hetimit për këto raste, e edhe ato të kaluara.
Goran Rakiq, kryetari i Listës Serbe ka thënë se “Largimi i njësive speciale nga ndërtesat komunale, lirimi i qytetarëve tanë të arrestuar, të rrëmbyer, atë ditë kur ishin protestat, të mos vijnë kryetarët e komunave si kaubojë, sepse kjo është shtëpi e qytetit, që duhet t’u shërbejë qytetarëve dhe të ofrojë shërbime për ta. Kjo do të ishte faza e parë për përmbushjen e kërkesave. Ajo që është më e rëndësishmja është që të ndërpritet të gjitha procedurat hetimore ndaj të gjithë njerëzve që kanë marrë pjesë, jo vetëm në këto protesta, por edhe në barrikadat e kaluara”.
Ndërkohë në Leposaviç, akoma brenda objekti që nga e hëna po vazhdon të qëndrojë kryetari i zgjedhur, Lulzim Hetemi.